Pas javësh spekulimesh dhe aludimesh, Fedez ka bërë publike lidhjen e re me stilisten milaneze Giulia Honegger, duke postuar selfien e parë në çift në rrjetet sociale. Në foto, Giulia mbështet kokën në shpatullën e tij, të dy shikojnë drejt kamerës, dhe imazhi është i rrethuar nga një kornizë me duar që formojnë një zemër. Përshkrimi ironik që e shoqëron foton: “Bro, you just posted cringe” ("O vëlla, sapo postove diçka të sikletshme").
Çifti ndodhet aktualisht me pushime në Sardenjë, në të njëjtën vilë ku Fedez kaloi verën e kaluar, kur divorci me Chiara Ferragni ishte ende në proces. Tani, më 23 korrik 2025, divorci është zyrtarizuar: sipas marrëveshjes, fëmijët Leone dhe Vittoria do të jenë në kujdestari të përbashkët dhe nuk ka asnjë detyrim për pagesë, as për fëmijët dhe as për Ferragnin.
Në këto rrethana, Fedez, tashmë beqar në mënyrë zyrtare, nuk e fsheh më romancën e tij të re. Giulia Honegger shfaqet gjithashtu në një tjetër postim: e shtrirë në shtrat përkrah tij, e veshur me bikini, teksa luan me PlayStation.
Në javët e fundit, dyshja është parë bashkë në vende të ndryshme, nga Marina di Pietrasanta deri në Milano. Fillimisht, Giulia ishte shfaqur e fshehur në një foto që Fedez postoi në Instagram, por paparacët më pas kapën edhe përqafime dhe puthje romantike, duke rritur dyshimet për një lidhje, e cila tashmë është konfirmuar publikisht.
Ndërkohë, edhe Chiara Ferragni është fotografuar sërish me Giovanni Tronchetti Provera, me të cilin ishte përfolur më herët për një romancë. Dyshja u panë së bashku në aeroportin e Malpensës dhe më pas kaluan një fundjavë në Sankt Moritz. Edhe pse u përfol për një ndarje, disa mendojnë se ata nuk janë ndarë asnjëherë thjesht kanë qenë më të kujdesshëm në publik.
Pavarësisht se kush ka nisur i pari një kapitull të ri, është e qartë që si Fedez ashtu edhe Chiara po jetojnë tashmë jetë të reja, më të lira dhe më transparente, tani që martesa e tyre ka marrë fund zyrtarisht.