Photo credits: Getty Images & Arun Nevader
Elton Ilirjani, i njohur gjithashtu me emrin e tij skenik HANKO, ka mahnitur audiencën ndërkombëtare në Expo 2025 në Osaka, me një performancë që ndërthur artin, modën dhe teknologjinë në një formë të jashtëzakonshme. Së bashku me artisten dhe dizenjatoren e njohur japoneze Naoko Tosa, ata paraqitën një projekt me titull “E Ardhmja e Modës që Sfidojnë Gravitetin”, që përfaqëson një vizion përtej të zakonshmes, ku moda nuk është më thjesht veshje, por një përjetim fizik dhe emocional që shkel ligjet e natyrës dhe normat tradicionale.
Performanca e Ilirjanit futet thellë në shtresat e identitetit njerëzor dhe natyrës, duke i bashkuar elementet organike me inovacionin më të fundit. Me përdorimin e materialeve si fibra optike, struktura të lehta dhe teknologji digjitale, veshjet marrin jetë dhe lëvizin në mënyra të papritura, duke krijuar ndjesinë e sfidimit të gravitetit.
I veshur me një kostum futuristik të dizenjuar nga Tosa dhe me fytyrë të lyer tërësisht në të bardhë e të zbukuruar me kristale blu, Elton përfaqësoi një entitet “jashtë kësaj bote”, duke përçuar me forcë narrativën artistike të projektit. Me këtë paraqitje, Ilirjani e ngriti konceptin e “Zero Gravity Box” përtej teknologjisë, në një udhëtim të thellë emocional dhe simbolik mbi origjinën dhe të ardhmen e njerëzimit.
Portofoli i Elton Ilirjanit përfshin pasarela dhe bashkëpunime me shtëpi mode në qendrat më të mëdha të modës botërore si New York, Paris, Milano, Londër, Tokio, Athinë dhe Miami. Ai ka sfiluar për emra të tillë si Jemma Russo, Naoko Tosa, Greedilious dhe Malan Breton, si dhe ka marrë pjesë në javën e modës në Miami për brandin Ema Savahl.
Megjithatë, Elton Ilirjani nuk është thjesht një model, por një artist performues dhe aktivist i modelimit pa gjini, i njohur për qasjen e tij unike në sfilata. Ai e sheh pasarelën si një skenë arti ku çdo ecje bëhet një deklaratë për inkluzivitetin, identitetin dhe bukurinë universale, duke marrë frymëzim nga legjenda si Yoko Ono, Marina Abramovi? dhe Michele Lamy.
Në bashkëpunimin e tij me Naoko Tosa-n në Osaka, ata ngritën një manifest të fuqishëm mbi bashkëjetesën midis teknologjisë, artit dhe zhvillimit shoqëror. Projekti propozon se teknologjia nuk duhet të jetë vetëm instrument efikasiteti, por mjet empatie, lidhjeje dhe imagjinate për të ndërtuar një të ardhme të re.
Me instalacionin “Kutia me Gravitet Zero”, publiku mori një përvojë që rikthen lidhjen me fillimet e jetës, ndërsa performanca e Ilirjanit theksoi një të ardhme ku gjinia nuk është kufi, por mundësi një vizion i guximshëm për një botë të lirë dhe gjithëpërfshirëse, të ndërtuar mbi ndjeshmëri, art dhe kurajë për të sfiduar normat.