Të marr frymë, të flas, të eci, të jem ky Zot i pabesueshëm që jam, mrekullia e gjërave – edhe ajo e gjërave më të vogla, ajo që është shpirtërore në çdo gjë. Unë i këndoj diellit në mëngjes, pasdite dhe tani, në perëndim... Dridhem dhe mallëngjehem nga bukuria dhe mençuria e tokës, dhe nga gjithçka që rritet mbi të. Besoj se një gjethe bari nuk është më pak se një ditë pune e yjeve. Them se natyra është e përjetshme, se gëzimi është i përjetshëm. Nuk shoh asnjë papërsosmëri në univers. Nuk shoh asnjë kauzë ku, në fund, rezultati të jetë i keq. Dhe pyetjes që vazhdimisht përsëritet... “Çfarë ka të mirë në gjithë këtë?”, unë i përgjigjem me jetën vetë.
Përgjigjja është kjo: ti je këtu, jeta ekziston, ti je gjallë, ky spektakël magjik vazhdon – dhe ti mund të kontribuosh në të me vargun tënd. Sepse dashuria ‘puthet’ me kuptimin e të gjitha gjërave. Lumturia... po, lumturia... kërkojeni, çdo ditë, pandërprerë. Madje kushdo që më dëgjon tani... le të nisë kërkimin për lumturinë, tani... në këtë çast. Sepse e keni. Është me ju. Na është dhuruar të gjithëve. Na është dhënë me pika që kur ishim të vegjël. Dhe është një dhuratë aq e çmuar, saqë e kemi fshehur – ashtu siç bën qeni me kockën. Disa prej nesh e kanë fshehur aq mirë, sa nuk mbajnë më mend ku. Por ajo është aty. E keni. Kërkoni në çdo vend, në çdo sirtar, në çdo cep të shpirtit tuaj. Hidhni gjithçka në ajër – dhe do ta shihni që do të dalë.
Lumturia ekziston. Duhet të mendojmë gjithmonë për të, dhe nëse ndonjëherë ajo na harron ne, ne nuk duhet ta harrojmë kurrë atë — deri në ditën e fundit të jetës sonë. Duhet t’i themi jetës “po”, t’i themi një PO kaq të plotë, kaq të fuqishme, sa të ketë forcën të përmbysë të gjitha JO-të që kemi dëgjuar.
Dhe atëherë kuptojmë se ekziston një mister i madh... një mister që nuk zbërthehet dot, por që duhet pranuar — sepse jeta është kjo që është. Ajo që na habit më shumë në këtë botë është vetë jeta: që ecën përpara, pa ndalur, edhe pse shpesh nuk kuptojmë se si ia del.
Po si ia bën vallë që reziston?
Si i duron të gjitha këto?
Edhe ky është një mister i madh dhe nuk e ka kuptuar ende askush... Sepse jeta është shumë më tepër sesa ajo që mund të kuptojmë ne... Prandaj ajo ia del të rezistojë. Nëse jeta do të ishte vetëm ajo që kuptojmë ne, do të kishte përfunduar shumë, shumë kohë më parë. Dhe ne e kuptojmë që, nga çasti në çast, mund të na ndodhë diçka e pafundme... Jini të lumtur. Dhe mbani mend: lumturia nuk duhet të kushtojë shumë, sepse nëse kushton shumë, nuk është e një cilësie të mirë... Dhe për të transmetuar lumturi, duhet të jesh i lumtur... Edhe për të transmetuar dhimbje, duhet të jesh i lumtur... Jini të lumtur... Duhet të kuptoni, të vuani... Mos kini frikë nga vuajtja... E gjithë bota vuan...
Burimi: https://www.youtube.com/watch?v=amq9_jwFNFs
Photo Credits: Daniele Venturelli / Contributor
Source: Getty Images Europe