Drafti i ri i Kodit Penal, i cili ndodhet aktualisht në fazën e konsultimit publik, ka ngjallur shqetësime dhe kritika nga organizatat e mediave dhe gazetarëve, të cilët përmes një konference të mbajtur këtë të premte e cilësuan si një kërcënim të mundshëm ndaj lirisë së shprehjes dhe medias në Shqipëri.
Në reagim ndaj këtyre kritikave, Kryeministri Edi Rama ka sqaruar se qeveria nuk ka marrë pjesë në hartimin e draftit të ri të Kodit Penal dhe se kjo detyrë i është besuar një grupi të pavarur ekspertësh.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama theksoi se ekzekutivi është aktualisht një ndër palët në proces dhe po e studion draftin për të dhënë më tej qëndrimin e vet zyrtar.
“Shoh që disa shoqata gazetarësh na kanë bërë një thirrje urdhëruese për të ndërhyrë urgjentisht në draftin e Kodit të Ri Penal, çka tregon se ata që duhet të informojnë publikun për procesin e saponisur të diskutimit të këtij drafti nuk e kanë kuptuar akoma (edhe pse u tha shumë qartë nga ministri i drejtësisë) se Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave, nuk kanë marrë pjesë në hartimin e draftit po ia kanë besuar një grupi ekspertësh të nderuar, nën udhëhehjen e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, Profesor Arben Rakipit.
Kështu, hëpërhë qeveria është thjeshtë njëra nga shumë palët në këtë proces dhe e kemi marrë e po e studiojmë draftin, për të ballafaquar më pas qëndrimet tona me ato të grupit të ekspertëve, gjë që ua sugjerojmë edhe shoqatave të alarmuara për lirinë e shtypit, të cilat në këtë fazë, në vend se të alarmohen duhet të ndjehen shumë të lehtësuara e të respektuara, sepse kanë të gjithë kohën e nevojshme për ta studiuar e pastaj ballafaquar draftin e Kodit të Ri Penal me grupin e punës, njësoj siç do të bëjë qeveria e siç duhet të bëjnë të tëra palët e interesuara, sidomos ato brenda sistemit, të cilat në vend se të japin deklarata sa të nxituara aq edhe qesharake për shtyp, bëjnë mirë të ulen me grupin e ekspertëve dhe të ballafaqojnë opinionet e tyre.
Ky është një proces demokratik dhe transparent, ku kush do të kontribuojë për një Kod të Ri Penal për Shqipërinë 2030 në BE i ka rrugët e hapura e të gjithë kohën e nevojshme, ndërsa kush do të bëjë zhurmën e vet mund ta bëjë, se demokracia i ka edhe zhurmuesit e vet, po s’mund të thotë dot që s’na pyeti kush”, shkruan Rama në rrjete sociale.