Media prestigjioze britanike BBC ka publikuar një artikull të posaçëm për këngëtaren e njohur ndërkombëtare Dua Lipa, e cila mori nënshtetësinë kosovare gjatë vizitës së saj në Prishtinë me rastin e Sunny Hill Festival.

Në shkrimin e saj, BBC e cilëson Lipën si një yll me ndikim global, që megjithatë mbetet thellësisht e lidhur me rrënjët e saj shqiptare dhe ka kontribuar dukshëm në promovimin e imazhit të Kosovës në skenën ndërkombëtare. Gjatë ceremonisë ku mori nënshtetësinë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, këngëtarja është cituar të ketë thënë: “Ndihem sikur të dyja anët e mia tani janë një.”

Lipa, e lindur në Londër nga prindër shqiptarë të Kosovës, ka kaluar disa nga vitet e saj formative në Prishtinë, pas shpalljes së pavarësisë së vendit në vitin 2008. BBC kujton se presidentja Osmani e përshkroi atë si “një nga figurat më ikonike kulturore në historinë e Kosovës”, duke shtuar se “Dua dhe Kosova kanë qenë gjithmonë të pandashme”. Në rrjetet sociale, Osmani e përshëndeti me fjalët: “Thesari i Kosovës, mirë se erdhe në shtëpi.”

Sipas BBC, Dua Lipa tashmë mban tre shtetësi, britanike, shqiptare dhe kosovare, dhe për vite me radhë ka qenë një zë i fuqishëm në përkrahje të vendit të saj, si përmes artit dhe bamirësisë, ashtu edhe përmes festivalit Sunny Hill, të cilin e themeloi së bashku me babain e saj në vitin 2018, me synimin për të ndryshuar perceptimin ndërkombëtar ndaj Kosovës.

Në ceremoninë solemne, Lipa u prit me duartrokitje nga një kor fëmijësh që interpretoi këngën e saj “Levitating”. Mes të pranishmëve ishte edhe ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili u shpreh se Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova ndajnë të njëjtën krenari për Dua Lipën.

BBC e mbyll artikullin me një moment emocional nga nata e performancës së saj në festival, ku këngëtarja, mes lotësh, tha:

“E dua këtë vend dhe kjo do të thotë shumë për mua dhe familjen time… Të ndaj këtë natë me ju, në qytetin që më formoi… është e vështirë ta përshkruaj me fjalë se çfarë do të thotë kjo për mua.”