Nga Anne Hathaway që u përgatit për rolin duke punuar falas në një shtëpi ankandesh, tek Meryl Streep që modifikoi zërin e saj duke u frymëzuar nga Clint Eastwood, deri te shtëpitë e modës që në fillim refuzuan të bashkëpunonin me produksionin. Në pritje të “Djalli vishet me Prada 2”, ja 10 kuriozitete interesante rreth filmit origjinal që bëri histori në 2006.
1. Streep kërkoi më shumë dhe mori gjithçka
Meryl Streep pranoi menjëherë rolin e Mirandës, por u ndje e nënvlerësuar kur pa ofertën financiare. Pas negociatash, paga e saj u dyfishua në 4 milionë dollarë dhe ajo kërkoi skena që të shfaqnin anën njerëzore të Mirandës.
2. Miranda me zërin e Clint Eastwood
Për zërin e Mirandës, Meryl Streep u frymëzua nga Clint Eastwood, ndërsa për sjelljen e saj nga regjisori Mike Nichols. Pamjen e modeloi sipas Carmen Dell'Orefice, modeles legjendare me flokë të bardhë dhe elegancë klasike.
3. Meryl s’veshi vetëm Prada
Pavarësisht titullit, shumica e veshjeve të Mirandës nuk ishin Prada. Patricia Field, kostumografja ikonike e “Sex and the City”, përdori shumë pjesë nga Donna Karan dhe arkivat e viteve '80-'90. Çanta e parë në film, megjithatë, është… Prada!
4. Anne Hathaway ishte zgjedhja e nëntë
Studio donte Rachel McAdams, por ajo refuzoi disa herë. Hathaway bëri gjithçka për të bindur producentët – madje shkroi “Më punësoni” në rërën e një kopshti zen. Me ndihmën e regjisorit David Frankel, ajo e fitoi rolin.
5. Ajo punoi falas për t’u përgatitur
Për t’u futur në rolin e Andy, Hathaway punoi një javë falas si asistente në një shtëpi ankandesh, për të kuptuar dinamikat dhe presionin e një pune të tillë.
6. Emily Blunt, zbulimi i filmit
Blunt fitoi rolin pas një audicioni mes mbi 100 aktoreve. Personazhi i saj bazohet në Plum Sykes, ish-asistente e Anna Wintour dhe autore librash mode. Burri i saj, aktori John Krasinski, e ka parë filmin më shumë se 75 herë.
7. Stilistët kishin frikë nga Anna Wintour
Shumë shtëpi mode refuzuan të huazonin rroba nga frika se do ta zemëronin Anna Wintour. Më vonë, ato pranuan, dhe filmi u bë me garderobën më të shtrenjtë në historinë e kinemasë – rreth 1 milion dollarë në total.
8. Skena e palltos u xhirua 30 herë
Skena ikonike kur Miranda i hedh pallton Andy-t mbi tavolinë u xhirua gjatë gjithë ditës, dhe Streep e përsëriti atë të paktën 30 herë, për të kapur perfekt intensitetin dhe sarkazmën.
9. Stanley Tucci, arma sekrete
Aktori improvizoi shumë nga batutat e personazhit të tij, Nigel, duke e bërë figurën më të dashur në film. Skenari ishte tashmë solid, por Tucci solli një dozë humori dhe inteligjence që ngriti nivelin e filmit.
10. I dashuri i Andy-t, armiku i vërtetë?
Pas viteve, fansat filluan të shohin Nate, të dashurin e Andy-t, si "armikun e vërtetë" të filmit – një personazh që e sabotonte ëndrrën e saj. Aktori Adrian Grenier fillimisht nuk pajtohej, por më vonë pranoi se Nate ishte i pasigurt dhe egoist.
Kur vjen vazhdimi?
“Djalli vishet me Prada 2” do të shfaqet në kinema më 1 maj 2026, për të shënuar 20-vjetorin e filmit origjinal. Regjisori David Frankel dhe skenaristja Aline Brosh McKenna janë sërish pjesë e projektit, duke e kthyer këtë vazhdim në një ribashkim të madh të kastit dhe ekipit të filmit që bëri epokë.