Nga MoMA Learning
(Muzeu i Artit Modern të Nju Jorkut)
Surrealizmi ishte një lëvizje artistike, intelektuale dhe letrare e drejtuar nga poeti André Breton, nga viti 1924 deri në Luftën e Dytë Botërore. Surrealistët kërkuan të rrëzonin rregullat shtypëse të shoqërisë moderne, duke shkatërruar shtyllën kurrizore të mendimit racional. Për ta bërë këtë, ata u përpoqën të merreshin me “realitetin superior” të mendjes së pavetëdijshme. “Tërësisht kundër rrymës,” ka thënë Breton, “në një reagim të dhunshëm kundër varfërimit dhe sterilitetit të proceseve të mendimit që rezultuan nga shekuj të tërë racionalizmi, ne u kthyem te e mrekullueshmja dhe e advokuam atë pa kushte.”
Shumë nga parimet e surrealizmit, duke përfshirë një theks te automatizimi, përdorimin eksperimental të gjuhës dhe objektet e gjetura, kanë qenë të pranishme deri në një farë mase te lëvizja Dada që i parapriu surrealizmit. Megjithatë, surrealistët sistematizuan këto strategji brenda kuadrit të teorive të psikologut Sigmund Freud mbi ëndrrat dhe mendjen e pavetëdijshme. Në Manifestin e Surrealizmit të vitit 1924, Breton e përkufizoi surrealizmin si:
“Automatizimi psikik në gjendjen e tij të pastër, nëpërmjet të cilit njeriu përpiqet të shprehë... funksionimin aktual të mendimit... në mungesë të çdo kontrolli të ushtruar nga arsyeja, me përjashtim të ndonjë shqetësimi estetik apo moral.”
Dada & Surrealizmi
Ndonëse Dada ishte e decentralizuar në terma të gjeografisë dhe lidershipit, qendra e surrealizmit ishte Parisi, me Bretonin në krye. Ndonëse Dada në shumë mënyra ishte një lëvizje anarkike, surrealistët njihen për angazhimin në veprimet kolektive në grup.
Rrethi surrealist ishte relativisht koheziv, por individët brenda tij vinin nga një varietet kombesh, dhe qasjet e tyre artistike ishin po aq të ndryshme. Ata besonin se vizatimet automatike çlironin përmbajtjet e mendjes së pavetëdijshme, ndërkohë që pikturat e peizazheve hiper-reale sjellin në mendje imazherinë e mistershme të ëndrrave. Kombinimet e papërshtatshme të objekteve të gjetura, të kombinuara në kolazhe surrealiste, tregonin për tensionet seksuale dhe forcat psikologjike, të cilat ata besonin se ishin të fshehura mu poshtë sipërfaqes së realitetit.
Burimi: https://www.moma.org/learn/moma_learning/themes/surrealism/
Photo Credits: Bettmann / Contributor
Source: Bettmann