Familja Beckham duket se është gjithnjë e më e përçarë, pasi David dhe Victoria Beckham, së bashku me tre fëmijët më të vegjël, Romeo, Cruz dhe Harper, munguan në ceremoninë e ripërtëritjes së betimeve martesore të djalit të tyre të madh, Brooklyn Beckham, me aktoren Nicola Peltz. Sipas raportimeve të TMZ, ceremonia u zhvillua fundjavën e kaluar pranë Nju Jorkut, më shumë se tre vite pas dasmës së tyre luksoze në Palm Beach, Florida, në prill 2022.
Nuk dihet nëse prindërit e Peltz ishin të pranishëm në eventin romantik, por mungesa e familjes Beckham ka ringjallur sërish tensionet e vjetra mes palëve. Një burim tha për People se ngjarja kishte si synim “të nderonte dashurinë dhe përkushtimin e ndërtuar ndër vite, duke krijuar një kujtim të paharrueshëm.”
Përplasjet mes Beckhams dhe çiftit Brooklyn–Peltz datojnë që nga përgatitjet për dasmën e tyre në 2022. Në atë kohë, Page Six raportoi se Victoria Beckham dhe Nicola Peltz “nuk duronin dot njëra-tjetrën dhe nuk komunikonin fare.” Thuhet se Nicola nuk donte që vjehrra të kishte ndonjë rol në planifikim dhe e mbajti tërësisht jashtë vendimmarrjeve.
Gjatë dasmës, tensionet thuhet se u thelluan kur këngëtari Marc Anthony, mik i ngushtë i David Beckham, ftoi në skenë Victorinë duke e quajtur “gruaja më e bukur në sallë”, duke i “vjedhur momentin” nuses. Nicola, sipas burimeve, u largua nga salla duke qarë.
Në prill të këtij viti, doli në pah edhe një përçarje mes Brooklyn dhe vëllait të tij, Romeo Beckham, për shkak të marrëdhënies së këtij të fundit me modelen Kim Turnbull. Gjendja u përkeqësua kur Brooklyn dhe Nicola munguan në 50-vjetorin e lindjes së David Beckham në maj, një ditë e rëndësishme për familjen.
Situata mori një kthesë edhe më dramatike muajin e kaluar kur Brooklyn dhe Nicola bën unfollow vëllezërit Romeo dhe Cruz në Instagram. Ndërkohë, Cruz Beckham postoi disa mesazhe thumbuese si “Je mashtrues” dhe “Je i vdekur për mua”, që sipas ndjekësve ishin të drejtuara pikërisht ndaj Brooklynit.
Deri tani, asnjë nga palët nuk ka komentuar publikisht për ceremoninë e fundit apo për përçarjen. Fansat janë të ndarë: disa fajësojnë Nicola për largimin e Brooklyn nga familja, ndërsa të tjerë mendojnë se David dhe Victoria nuk kanë qenë përkrahës të mjaftueshëm.