Nga MoMA Learning
(Muzeu i Artit Modern të Nju Jorkut)
Lindja e modernizmit dhe e artit modern lidhet me Revolucionin Industrial. Kjo periudhë ndryshimesh të shpejta në prodhim, transport dhe teknologji, që filloi rreth mesit të shekullit të 18-të dhe vazhdoi gjatë shekullit të 19-të, ndikoi thellësisht në jetën sociale, ekonomike dhe kulturore në Evropën Perëndimore, Amerikën e Veriut dhe më pas në mbarë botën.
Format e reja të transportit, përfshirë hekurudhat, motorët me avull dhe metrotë, transformuan mënyrën si njerëzit jetonin, punonin dhe udhëtonin, duke zgjeruar këndvështrimin e tyre për botën dhe duke u mundësuar akses në ide të reja. Me lulëzimin e qendrave urbane, punëtorët u dyndën në qytete për të punuar në industri, dhe popullsia urbane u rrit ndjeshëm.
Para shekullit të 19-të, artistët zakonisht porositeshin nga patronë të pasur apo institucione si kisha, për të realizuar vepra që shpesh paraqisnin skena fetare apo mitologjike, me synimin për të udhëzuar shikuesin.
Gjatë shekullit të 19-të, shumë artistë filluan të krijonin vepra të bazuara në përvojat e tyre personale dhe në tematika që i zgjidhnin vetë. Me publikimin e Interpretimit të Ëndrrave nga psikologu Sigmund Freud në vitin 1899, dhe popullarizimin e idesë së mendjes së pavetëdijshme, shumë artistë nisën të eksploronin ëndrrat, simbolikën dhe ikonografinë personale si mjete për të shprehur përvojat e tyre subjektive.
Duke sfiduar nocionin se arti duhet të paraqesë në mënyrë realiste botën, disa artistë eksperimentuan me përdorimin e tepruar të ngjyrës, materialeve jokonvencionale, si dhe teknikave dhe mediumeve të reja. Midis këtyre mediumeve ishte edhe fotografia, shpikja e së cilës në vitin 1839 solli mundësi radikale për paraqitjen dhe interpretimin e realitetit.
Burimi artikullit: https://www.moma.org/learn/moma_learning/themes/what-is-modern-art/
Image Credits: