Kompania OddFellows Ice Cream në bashkëpunim me markën e produkteve për nënat dhe foshnjat Frida, ka lançuar një shije të re akulloreje, të quajtur “Breast Milk Ice Cream” e frymëzuar nga qumështi i gjirit, por pa përmbajtje të tij.
Pavarësisht emrit të veçantë, akullorja nuk përmban qumësht gjiri njerëzor. Ajo është përgatitur me përbërës klasikë si qumësht, krem, të verdha veze dhe sheqer, por përfshin edhe një element unik: kolostrum bovin, lëngu i parë i gjirit që prodhojnë lopët pas lindjes, i pasur me lëndë ushqyese dhe imunitet.
Shija përshkruhet si një kombinim “i ëmbël dhe pak i kripur”, që synon të krijojë një përvojë emocionale për nënat dhe prindërit e rinj.
Kjo shije është e disponueshme vetëm për një kohë të kufizuar në dyqanin OddFellows në Brooklyn, deri më 10 gusht 2025, si dhe online për porosi në SHBA përmes faqes së Frida.