Skena e hip-hop-it shqiptar po ndizet sërish, dhe këtë herë “shkëndija” ka rënë në zemër të territorit të Noizyt, Durrësin.

Reperi nga Drenica, Don Xhoni, i cili prej ditësh lëviz me “thumba” të koduar në rrjete sociale, mbrëmë performoi në një nga skenat më të njohura të qytetit bregdetar, aty ku Noizy ka ngritur perandorinë e tij muzikore dhe ku emri i tij është pothuaj sinonim i skenës urbane.

Në Instagram, Don Xhoni nuk humbi rastin të shoqëronte pamjet e koncertit me dy mesazhe që ndezën sërish rivalitetin virtual. Në njërën video, ai shkruan “1shi ktu”, titull me të cilin Noizy identifikohet prej vitesh. Në një tjetër, shkroi: “Durrësi, ça tha? Komplet bllokim, pamjet flasin vet!”, duke treguar atmosferën e mbushur plot energji dhe publikun që i këndonte çdo varg.

Vetëm disa ditë më parë, dy reperët u përfshinë në një shkëmbim thumbash “luksoz”, ku supermakinat dhe mesazhet e koduara u kthyen në armë virtuale. 

Mbrëmja e djeshme në Durrës duket si një tjetër kapitull i kësaj gare të heshtur, por të nxehtë, ku skena nuk është më vetëm rrjeti social apo garazhi luksoz, por vetë territori i rivalit.