Nga REVISTA ARTSPER
Poezi, sensualitet, bukuri dhe melankoni!
Revolucionalizimi i fotografisë nudo!
Ky artikull i Artsper është tribut për artistin e tij, një fotograf të talentuar, i njohur për origjinalitetin e fotografive të tij nudo. Puna e tij, sa e gjallë aq edhe e shkurtër, ishte një admirim i sensualitetit dhe bukurisë së zhveshur të jetës, e shoqëruar me melankoli. Ai vdiq përpara festimit të 30-vjetorit të tij, por arti i tij poetik vazhdon të jetojë. U bë i famshëm për portretet e tij të gjalla nudo.
Ren Hang revolucionalizoi fotografinë nudo duke e trajtuar trupin femëror dhe mashkullor në mënyrë të barabartë, me moskokëçarje, poezi dhe humor. Ai i gërshetonte trupat e modeleve të tij për të krijuar fotografi tërheqëse dhe prekëse. Arti i tij ishte një reflektim mbi lakuriqësinë (nudon), erotizmin, të bukurën dhe, më gjerësisht, mbi vetë jetën. Fotografitë e tij ishin pasqyra të shpirtit të tij të trazuar. Ai ka deklaruar se është bërë fotograf sepse “fotografia mbush zbrazëtinë e veshëve të mi.”
Ai mbante një ditar të cilin e quante “Depresioni i lehtë”
Ren Hang e përballonte ankthin e tij paralizues dhe shqetësimet nëpërmjet shkrimit. Në fjalitë e tij lirike, njëherësh të trishtuara dhe shqetësuese, ai u rrëfente lexuesve: “Çdo ditë zgjohem në mëngjes duke pyetur veten përse jam ende gjallë.” Poema dhe shënimet e tij personale të papërpunuara, të lidhura me depresionin, mbushnin një seksion të tërë në faqen e tij të internetit.
Ai përdorte gjithmonë të njëjtën kamerë për fotografitë e tij
Ren Hang punonte vetëm me një kamerë të thjeshtë analoge Minolta, e lehtë për t’u përdorur dhe mbajtur me vete; ai kërkonte të bënte fotografi sa më spontanisht, duke shtypur vetëm një buton. Ky spontanitet e ndihmoi të krijonte imazhe të bukura dhe autentike: pa asistentë apo ndriçim artificial, fotografitë e tij ishin fragmente jete të kapura në çast.
Puna e tij ishte shumë e diskutueshme në Kinë, vendin e tij të origjinës
Fotografitë e tij erotike dhe argëtuese nuk i pëlqenin qeverisë kineze, e cila i censuroi disa herë. Puna e Ren Hang çoi edhe në arrestimin e tij disa herë gjatë seancave fotografike. Megjithëse konsiderohej “i rrezikshëm” për ideologjinë komuniste, vetë Ren Hang nuk e shihte veten si rebel. Ai deklaronte: “Mua më pëlqen të mendoj se praktika ime artistike shkon përtej fushës politike.”
Ai ka studiuar për marketing, jo për fotografi
Ren Hang e konsideronte studimin e marketingut të mërzitshëm, ndaj nisi të fotografonte miqtë dhe shokët e konviktit për të ushqyer pasionin e tij të sapozbuluar. Ai organizonte seanca fotografike me modele amatore, duke i vendosur në pozicione sa më natyrale të mundshme.
Modelet e tij ishin miqtë e tij, dhe më vonë, vizitorë nga faqja e tij e internetit
Ai besonte se respekti reciprok ishte thelbësor për të realizuar fotografi sa më natyrale. Për këtë arsye, shpesh përfshinte miq të ngushtë – madje edhe nënën e tij – në fotografi. E njëjta gjë vlente për njerëzit që aplikonin online: përpara se të fotografonte, ai gjithmonë fliste me ta.
Ai ka organizuar një ekspozitë me korniza të zbrazëta
Për shkak të censurës nga autoritetet kineze, të cilat e ndaluan një ekspozitë me motivin “Dyshime për seks”, ai reagoi duke organizuar një ekspozitë me korniza të zbrazëta. Më pas tha: “Ideologjitë politike në fotografitë e mia nuk kanë të bëjnë me Kinën. Është politika kineze ajo që përpiqet të përzihet me artin tim.”
Shumica e audiencës së tij ishte jashtë Kinës
Megjithëse nuk ishte sipas shijeve të vendit të tij, jashtë Kinës ai u prit ngrohtë. Ekspozoi në FIAC në 2014, në Muzeun Foam në Amsterdam, dhe në Muzeun e Fotografisë së Stokholmit nga 2016 deri në 2017. Ai bashkëpunoi edhe me revista mode dhe krijoi kopertinën e “Seksit” për revistën Inrock në verën e vitit 2014.
Ai është krahasuar me Ai Weiwei dhe Ryan McGinley
Stili i tij shpesh krahasohet me atë të fotografit amerikan Ryan McGinley, megjithëse shumë e konsiderojnë punën e Ren Hang si më “të rëndë”. Ai është krahasuar gjithashtu me artistin kinez Ai Weiwei për figurën që përfaqësonte. Të dy kanë qenë të censuruar nga qeveria kineze dhe kanë bashkëpunuar në vitin 2013 për ekspozitën “FUCKOFF” në Muzeun Groninger, Holandë. Weiwei i kushtoi një tribut Hang-ut pas vdekjes së tij.
TASCHEN publikoi monografinë e tij në janar 2017
Ky botim nga TASCHEN është përzgjedhja e vetme që përfshin të gjithë artin e Ren Hang, me fotografitë e tij më të njohura dhe shumë të tjera të pabotuara më parë.
Burimi i artikullit:
https://blog.artsper.com/en/a-closer-look/ren-hang-the-tragic-destiny-of-a-photography-prodigy/
Photo credits:
Untitled, 2016 ©Courtesy of Estate of Ren Hang and stieglitz19