Pak ditë më parë, Georgina Rodriguez njoftoi në rrjetet sociale se Cristiano Ronaldo, partneri i saj prej nëntë vitesh, ia ka bërë propozimin e martesës. Ndërsa fansat presin dasmën, në Portugali ka rikthyer interesin lajmi për një të ashtuquajtur marrëveshje paramartesore midis tyre.
Sipas revistës portugeze TV Guia, marrëveshja, që kishte qarkulluar edhe një vit më parë, është rishikuar pas njoftimit zyrtar të martesës, e cila pritet të zhvillohet në 2026, në dhjetëvjetorin e lidhjes së tyre. Në rast divorci, Ronaldo do të jetë i detyruar të paguajë Georginës një vitalic prej 114,000 dollarësh në muaj për veten dhe për mbajtjen e fëmijëve. Çifti ka pesë fëmijë: Cristiano Jr., binjakët Eva dhe Matteo – të lindur nga nëna surrogate – dhe dy vajzat nga marrëdhënia me Georginën: Alana Martina dhe Bella Esmeralda.
Përveç pagesës mujore, Rodriguez do të trashëgojë edhe vilën familjare në lagjen rezidenciale La Finca në Madrid, një pronë mbi 4,000 m² me vlerë rreth 5 milionë euro, projektuar nga arkitekti Joaquin Torres dhe e dekoruar me monogramin CR mbi dorezat e dyerve. Për më tepër, influencerja argjentinase do të mbajë edhe unazën e fejesës, e cila, sipas Hola!, vlerësohet rreth 6 milionë dollarë.
Kur Ronaldo dhe Georgina u takuan për herë të parë në Madrid në 2016, ai ishte tashmë një yll i futbollit, ndërsa ajo punonte si shitëse. Sot, Rodriguez ka ndërtuar një pasuri prej rreth 10 milionë paundësh, falë kontratave të modës, sponsorimeve dhe veçanërisht kontratës milionëshe me Netflix për serialin e saj Soy Georgina.
Nga ana tjetër, Ronaldo vazhdon të jetë një nga sportistët më të paguar në botë, duke fituar 250 milionë euro në sezon në Arabinë Saudite dhe me një pasuri totale prej rreth 1 miliard dollarësh. Prandaj, sipas TV Guia, futbollisti ka menduar të sigurojë partneren e tij ekonomikisht, pavarësisht se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen.
Pra, edhe nëse martesa përfundon, marrëveshja paramartesore do të jetë një lidhje që bashkon çiftin, përveç fëmijëve, për gjithë jetën.