Për vite me radhë, Kina ka ndjekur një politikë të ashpër të “fëmijës së vetëm”, me gjoba të majme, kontroll të rreptë dhe deri te aborti dhe sterilizimi i detyruar, e bindur se kjo do të siguronte zhvillim ekonomik. Por sot, situata është krejt e kundërt: lindshmëria bie dhe popullsia po zvogëlohet për tre vite me radhë.
Së fundmi, qeveria ka prezantuar një bonus vjetor prej 3,600 yuan (rreth 500 dollarë) për çdo fëmijë deri në moshën tre vjeç, retroaktiv nga 1 janari 2025. Shuma totale e operacionit: 90 miliardë yuan, duke prekur rreth 20 milion familje. Sipas Emma Zang, demografe dhe profesoreshë sociologjie në Yale, kjo është një sinjal që qeveria e konsideron krizën e lindjeve një çështje emergjente kombëtare.
Megjithatë, eksperti paralajmëron: “Shtetet e tjera si Japonia dhe Koreja e Jugut provuan bonuse të ngjashme, por nuk funksionuan. Nuk mjafton vetëm të japësh para; duhet të përballesh me mosbesimin dhe lodhjen emocionale të të rinjve.”
Shumë të rinj, të rritur duke parë prindërit e tyre të gjobitur për lindje të “paautorizuara”, janë skeptikë. Zane Li, 25 vjeç, tregon për CNN: “Kur lindi motra ime e vogël, familja jonë pagoi 100,000 yuan, pothuajse trefishi i të ardhurave vjetore. Tani nuk mendoj fare të bëhem prind. 3,600 yuan në vit janë një pikë në oqean.”
Të dhënat mbështesin shqetësimin e tij: sipas YuWa Population Research Institute, kostoja e rritjes së një fëmije deri në 18 vjeç arrin mesatarisht 538,000 yuan (75,000 dollarë), më shumë se gjashtëfish i PIB-it për frymë. Në qytetet e mëdha, kjo shifër mund të arrijë ose të kalojë një milion yuan.
Kostoja financiare shoqërohet me një ambient të vështirë ekonomik: çmime të larta të banesave, papunësi e të rinjve në rritje dhe orare pune të gjata (nga ora 9 e mëngjesit deri në 9 të darkës, gjashtë ditë në javë). Për më tepër, barra mbi gratë është disproporcionale: ato paguajnë çmim më të lartë për menaxhimin e familjes. Sot, të rejat janë të arsimuara, me karrierë dhe kërkojnë më shumë barazi. Pa leje prindërie për baballarët, mbrojtje në punë dhe fleksibilitet, lindshmëria nuk do të rritet.
Përveç kostos, ndikim ka edhe klima e pesimizmit social. Gjatë viteve të zhvillimit ekonomik, çdo brez besonte se do të jetonte më mirë se brezi i mëparshëm. Sot, mobiliteti social po bie dhe e ardhmja duket e pasigurt. Shumë të rinj zgjedhin të mos ndjekin pritshmëritë tradicionale martesë dhe fëmijë si një formë mbrojtjeje personale.
Në pak më shumë se një dekadë, Kina ka kaluar nga ndëshkimi i lindjeve shtesë tek nxitja e lindjeve të munguar, por problemi mbetet kompleks: ekonomik, social dhe kulturor. Deri sa të lindë një fëmijë të jetë një barrë financiare dhe një pengesë për karrierën sidomos për gratë bonuse dhe subvencione nuk do të ndryshojnë rrënjësisht situatën.
Qeveria dëshiron më shumë fëmijë, por shoqëria ende nuk është e organizuar për të mbështetur familjet. Përderisa kjo vazhdon, ndihmat financiare mbeten vetëm një zgjidhje e përkohshme.