Nga shtatori, nxënësit lituanezë nuk do të mësojnë vetëm matematikë dhe histori, por edhe ndërtimin dhe përdorimin e dronëve. Ministria e Mbrojtjes së Lituanisë ka nisur një projekt të ri që synon të zhvillojë aftësitë praktike të kontrollit dhe ndërtimit të dronëve, duke përfshirë nxënësit nga klasa e tretë deri në të dymbëdhjetën.
Sipas planit, deri në vitin 2028 do të hapen nëntë qendra trajnimi, ndërsa tre të parat do të jenë të gatshme këtë shtator. “Dronët janë tashmë pjesë integrale jo vetëm e shkencës dhe industrisë, por edhe e jetës së përditshme,” tha Valdas Jankauskas, drejtor i Agjencisë së Arsimit Joformal të Lituanisë (LINEŠA). Ai shtoi se programi u mundëson të rinjve të njihen me këtë fushë që në moshë të hershme, një njohuri e vlefshme si për inxhinierët e së ardhmes, ashtu edhe për qytetarët aktivë.
Nisma vjen ndërsa vendi po përgatitet për sfida të reja të sigurisë. Muajin e kaluar, një dron rus pa pilot u rrëzua pranë një baze ushtarake në Lituani, pasi kishte hyrë nga Bjellorusia, ngjarje që rriti kërkesat për mbështetje nga NATO. Ish-kryeministri dhe Komisioneri i BE-së për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, paralajmëroi se vendi nuk është i përgatitur për të përballuar sulme masive me dronë.
Programi synon që deri në vitin 2028, më shumë se 22,000 persona, përfshirë 7,000 fëmijë, të zotërojnë aftësi për pilotimin dhe ndërtimin e dronëve. Nxënësit nga mosha 9-vjeçare do të angazhohen në eksperimente praktike dhe lojëra me dronë, ndërsa në arsimin e mesëm të ulët do të mësojnë pilotimin dhe ndërtimin e dronëve. Në shkollat e mesme, nxënësit do të projektojnë pjesë 3D dhe do të marrin pjesë në gara rajonale dhe kombëtare.
Me këtë program, Lituania i bashkohet fqinjëve baltikë në nisma të ngjashme: Estonia ka premtuar një program arsimor për dronë deri në mesin e vitit 2026, ndërsa Letonia zhvilloi këtë korrik kampin e parë për operatorë të rinj dronësh. Të tre vendet po ndërtojnë gjithashtu një “mur dronësh” përgjatë kufijve lindorë me Rusinë, me sisteme zbulimi në kufi dhe në katër qytete të mëdha, planifikuar të jenë operativ deri në vitin 2027.