Pete Davidson foli për herë të parë hapur për ndikimin e mediave mbi jetën e tij private, duke përmendur ish-të fejuarën, Ariana Grande. Gjatë një interviste në “The Breakfast Club”, aktori shpjegoi se përqendrimi tek diskutimi mbi BDE “e lëndoi shumë” dhe e bëri të ndihej i turpëruar.
“Askush nuk fliste për punën që bëja, vetëm për atë… dhe më dhembi shumë,” tha Davidson, duke shtuar se shokët, familjarët dhe kolegët e SNL e vunë re se ndihej keq dhe i vinte turp. Ai ironizoi edhe mbi vetëvlerësimin e tij: “Nuk jam i bukur si Glen Powell, jam thjesht ky tipi që bën shaka për penisin dhe është i varur nga droga.”
Davidson kujtoi se fillimisht thashethemet nisën kur ai filloi të dilte me dikë që media e konsideronte “jashtë radhës së tij” duke iu referuar Grande. Ata u lidhën në maj 2018 dhe u fejuan pas disa javësh, por lidhja përfundoi pas vetëm pesë muajsh.
Ai shtoi se përjetimi i këtij mediatizimi ishte “traumatik”, duke e krahasuar me të jetuarit vazhdimisht me problemet e veta personale. Ndërkohë, Ariana Grande është aktualisht në një marrëdhënie me aktorin e saj të “Wicked”, Ethan Slater, ndërsa Davidson po pret fëmijën e parë me të fejuarën Elsie Hewitt.