Estetika i referohet filozofisë së artit dhe filozofisë së së bukurës. Të dyja këto fusha janë të mbushura me debate të rëndësishme dhe interesante nga pikëpamja filozofike. Në filozofinë e artit, hasim qëndrime magjepsëse, por edhe konfliktuese, mbi pyetje si: Çfarë është arti? dhe Pse veprat e artit janë kaq të rëndësishme për ne? Vetë dallimi ndërmjet “artit” dhe “jo-artit” është sfiduar nga filozofët dhe artistët.

Kuptimi dhe zhvillimi i artit (ose i kritikës së artit) është një fushë kërkimi e vazhdueshme dhe mjaft ngazëllyese, me këndvështrime të ndryshme mbi rëndësinë e krijimtarisë, origjinalitetit dhe përmbajtjes etike. Për shembull: nëse një vepër arti promovon seksizëm apo racizëm, a është ajo domosdoshmërisht një vepër e keqe arti? Dhe a duhet që një vepër e madhe arti t’i rezistojë testit të kohës?

Reflektimet filozofike mbi të bukurën ndonjëherë kanë ecur paralelisht me filozofinë e artit, por ato hapin një grup edhe më të gjerë çështjesh. Sot, shumë artistë nuk e shohin të bukurën si qëllim parësor dhe disa nga veprat më të vlerësuara duket se qëllimisht përmbajnë elementë të shëmtuar. Për shumë njerëz, gjykimet mbi të bukurën dhe të shëmtuarën duket se janë çështje tërësisht subjektive — “E bukura është në syrin e atij që shikon” është bërë tashmë një klishe.

Megjithatë, e bukura mbetet një nga temat më të rëndësishme të estetikës, për shumë arsye. Nga pikëpamja historike, pjesa më e madhe e artit është motivuar nga interesi për të bukurën — një gjë që shfaqet dukshëm dhe gjerësisht në kultura të ndryshme, jo vetëm në Perëndim, por edhe në Afrikë, Azi dhe Amerikë.

Sot ekziston një rivalitet filozofik mbi rolin e së bukurës në artin bashkëkohor dhe në etikë. Në Kapitullin 1, do të shqyrtohen disa nga arsyet që qëndrojnë pas këtij rivaliteti. Shkurtimisht, disa filozofë mund të bien dakord se “e bukura qëndron në syrin e atij që shikon”, por ata propozojnë se disa mënyra të të shikuarit janë më të besueshme dhe të qëndrueshme se të tjerat.

Në etikën bashkëkohore, është thuajse e pranuar që disa gjykime morale mbështeten në estetikë dhe jo vetëm në shkencë, histori, institucione etj. Një shembull interesant është në fushën e etikës mjedisore: nëntitulli i një libri të kohëve të fundit është “Nga e bukura tek detyra”. Ideja është se, duke e parë diçka si të bukur, jemi më të prirur ta mbrojmë dhe jo ta shfrytëzojmë.

Photo by Valeriia Miller:

https://www.pexels.com/photo/pink-roses-in-clear-glass-vase-3910065/