Magritte e ka përdorur figurën e burrit me kapele republike në disa nga pikturat e tij. Ndoshta, kjo pikturë nuk është aq e njohur sa pikturat e tjera të Magritte, megjithatë, ajo është lehtësisht e identifikueshme si një pikturë e tij, duke na rikujtuar pikturën e famshme “Biri i Njeriut” (1964).

Vëzhgojeni pikturën dhe detajet e saj. Fytyra e burrit është e mbuluar, sikur pëllumbi ka fluturuar në kornizë; si të ishte Magritte duke bërë një fotografi të çastit. Zogu po fluturon nga e majta në të djathtën e burrit, drejt dritës. Ne nuk i shohim sytë e burrit, megjithatë shohim syrin e majtë të zogut; ndërsa te piktura “Biri i Njeriut”, mund të shohim syrin e majtë të burrit. Kollarja e burrit është një rozë e zbehtë, krahasuar me kollaren e kuqe të ndezur që shfaqet te “Biri i Njeriut”. Ndryshe nga ajo pikturë, kjo është një pamje e afërt e shpatullave të burrit. Shikoni sfondin blu pas tij; a mos është ai qielli, apo burri është ulur përpara një sfondi të përgatitur për portret?

Ajo që e tërhiqte Magritte dhe që e bënte atë kaq të ndryshëm nga shumica e kolegëve të tjerë surrealistë ishte misteri dhe ndjesia e ëndërrimit. Joan Miró përkrahu qasjen “automatike”, duke e lënë të pavetëdijshmen të përcaktonte linjat; Dalí arriti në botën e ëndrrave, duke u rikthyer tek arti tredimensional dhe figurativ në veprat e tij të mëvonshme; ndërsa Magritte i qëndroi besnik kanoneve (traditës) së tij të dimensioneve të sheshta dhe imazheve të ngrira. Ajo që kërkonte Magritte dhe që ai e arriti më së miri në veprën e tij nuk kishte të bënte edhe aq shumë me sfidimin e shikuesit, sesa me zgjimin e kureshtjes për të parë jetën të çliruar nga konkretja dhe e tashmja.

Burimi: https://www.renemagritte.org/man-in-a-bowler-hat.jsp

Image Credits: https://www.renemagritte.org