Perrie Edwards, këngëtarja e njohur e grupit Little Mix, ka hapur zemrën për herë të parë mbi prishjen e fejesës me ish-anëtarin e One Direction, Zayn Malik, gjatë një interviste në podcast-in We Need to Talk.

Edwards, 32 vjeç, dhe Malik u fejuan mes viteve 2013–2015, pas njohjes së tyre në skenën e X Factor UK, ku të dy dolën si talente të reja të muzikës. Ajo kujtoi se ishte shumë e re kur filloi lidhja dhe se, si dashuria e saj e parë, marrëdhënia u duk normale në fillim, por shpejt mori një rrjedhë të vështirë.

“Në atë kohë mendoja se gjithçka që përjetonim ishte normale, sepse ishte marrëdhënia ime e parë, dashuria e parë. Mendoja: ‘Kështu duhet të jetë, paksa toksike, ndoshta kjo është e zakonshme’. Por kur mbeta beqare, i thashë vetes: ‘Kurrë më nuk dua të kaloj diçka të tillë’,” – rrëfeu këngëtarja.

Pas ndarjes së bujshme në vitin 2015, ajo përjetoi një periudhë shumë të vështirë, ku përveç dhimbjes iu desh të përballej edhe me opinionin publik.

“Nuk kisha kaluar kurrë më parë një ndarje, e aq më pak nën syrin e publikut. U ndjeva e turpëruar, e çuditshme, shumë e trishtuar. Dhe fakti që gjithçka ndodhte para syve të të gjithëve e bëri edhe më poshtëruese.”

Në ato momente, Edwards gjeti mbështetje tek shoqet e saj të grupit Little Mix, të cilat, siç tregon ajo, shpesh përpiqeshin ta shpërqendronin nga dhimbja, madje edhe me gjeste gazmore në rrugë.

Pas eksperiencës me Malik, Edwards pranon se hyri me vështirësi në lidhjen me futbollistin Alex Oxlade-Chamberlain, me të cilin është fejuar në vitin 2022 dhe ka një djalë, Axel, lindur në 2021.

Këngëtarja pranoi se ka “mësuar shumë” nga e kaluara, edhe pse lidhja me Malik e ka lënë të ndjeshme ndaj mënyrës si e sheh dashurinë sot.

“Në fillim me Alex sillesha ndryshe, si pasojë e plagëve që më kishte lënë marrëdhënia e kaluar. Ai gjithmonë i përballonte gjërat me një qetësi të admirueshme dhe kjo më habiste,” – u shpreh ajo.

Edwards kishte rrëfyer edhe më parë në librin One World të Little Mix se Malik i kishte dhënë fund fejesës përmes një mesazhi, diçka që këngëtari e ka mohuar publikisht duke thënë se e kishte “shumë respekt për Perrie” për ta mbyllur marrëdhënien në atë mënyrë.