Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me zhdukjen e ish-zv.drejtorit të AKSHI-t, Daniel Shima. Shima disa orë pasi rezultoi i zhdukur është paraqitur në polici ku ka deklaruar se është larguar me dëshirë. 

Ai ka deklaruar në polici se pas një konflikti me të dashurën kishte vendosur të largohej drejt jugut për disa ditë që të qetësohej. Shima shtoi se pasi ka parë që familjarët janë shqetësuar dhe rasti është bërë mediatik ka vendosur të kthehet.

"Isha zënë me partneren dhe thashë të shkoj të qetësohem disa ditë në jug, por pashë që ishin shqetësuar familjarët dhe mori përmasa mediatike dhe u ktheva," tha ai në polici.

Ajo që mbetet pa përgjigje është se përse Shima u ka shkruar familjarëve që është arrestuar, mesazh i cili alarmoi familjarët ndërsa sot del në pah një detaj i ri. Ai nuk ka dhënë sqarime lidhur me mesazhin. Nga ky mesazh dhe nga humbja e kontakteve situata u alarmua ndërsa nisën hetimet për rrëmbim dhe inskenim i zhdukjes.