Duhej të shërbenin për të mbrojtur shtëpinë, por përfunduan duke u kthyer në një armë kundër atyre që jetonin aty. Kamerat e instaluara vite më parë në banesën e familjes Tronelli janë sot në qendër të një hetimi që përfshin Stefano De Martino dhe partneren e tij, Caroline Tronelli.
Videoja intime që i tregon ata në një moment privat u vodh nga ai sistem survejimi dhe u shpërnda online brenda pak minutash, duke u kategorizuar menjëherë si përmbajtje amatore në një platformë ndërkombëtare që mbledh imazhe të vjedhura nga dhomat e gjumit në çdo pjesë të botës: nga Kolumbia në Shtetet e Bashkuara, përmes Iranit, Turqisë dhe tani edhe Italisë. Ngjarjen e bëri të njohur një ndjekës. Duke shfletuar faqen, ai e njohu showman-in nga disa tatuazhe dalluese dhe e njoftoi menjëherë. Ishte 9 gusht: pak orë më pas De Martino mori atë mesazh dhe ditën pasardhëse bëri kallëzim në komisariatin e Porto Cervo-s, në Sardini.
Sipas avokatëve të çiftit dhe vetë raportit të dorëzuar nga hetuesi privat Amedeo Pantanella, dyshimi kryesor bie mbi dikë që frekuentonte rregullisht atë shtëpi: jo një haker i panjohur nga ana tjetër e botës, por dikush që njihte mirë kodet e aksesit të sistemit të videosurvejimit. Ndoshta një teknik. Ndoshta një “i brendshëm” që tradhtoi marrëdhënien e besimit me familjen.
«Nuk përjashtojmë që të ketë qenë një teknik që tradhtoi besimin dhe përfitoi nga situata», kanë deklaruar avokatët Angelo dhe Sergio Pisani, që e mbrojnë De Martino. Në të njëjtën linjë është dhe avokati i të rejës, Lorenzo Contrada: «Puna e hetuesit ka dhënë tashmë elemente konkrete, tani në duart e prokurorëve».
Në të kaluarën, shtëpia kishte qenë viktimë e vjedhjeve, me bizhuteri të zhdukur nga dhoma e gjumit. Nga kjo erdhi vendimi, dhjetë vjet më parë, për të instaluar kamera për të kontrolluar çdo cep të apartamentit. Por fjalëkalimet nuk ishin përditësuar kurrë: një detaj që e bënte sistemin të prekshëm nga kushdo që njihte menaxhimin e tij.
Prokuroria e Romës ka hapur një dosje për qasje të paligjshme në sistem informatik, dhe policia postale ka sekuestruar të gjithë impiantin, ndërsa Prokuroria e Tempio Pausania vijon paralelisht hetimet për shpërndarje të paligjshme të imazheve seksualisht eksplicite. Janë dy pista: ajo e një hakerimi të jashtëm dhe ajo e teknik-ut.