Prej disa vitesh, sa herë që një i famshëm humbet shumë peshë, lind pothuajse gjithmonë një dyshim: a ka përdorur semaglutide?

Kjo molekulë, e krijuar fillimisht për të kuruar diabetin e tipit 2, por e aftë gjithashtu të shkaktojë humbje të konsiderueshme në peshë duke frenuar receptorët përgjegjës për oreksin, përdoret shpesh edhe për t’u rikthyer në formë. Ashtu si edhe të tjerët të kësaj kategorie, të quajtur GLP-1. Megjithëse shumica prej atyre që i përdorin zakonisht e mohojnë, ka nga ata që kanë vendosur të flasin hapur: Serena Williams.

Tenistja ka treguar se ka humbur 14 kilogramë duke kombinuar dietën dhe stërvitjen me përdorimin e një ilaçi GLP-1. Pa pendesa, aq sa është bërë në Shtetet e Bashkuara imazhi i një fushate për një kompani që i përshkruan këto barna përmes telemjekësisë.

«Më duket mirë dhe e shëndetshme, e lehtë fizikisht dhe mendërisht», tha ajo në videon e parë të fushatës, të cilën pranoi ta bënte për të normalizuar përdorimin e këtyre medikamenteve dhe për të kundërshtuar narrativën sipas së cilës përdorimi i tyre është rruga më e lehtë.

Në vitin 2017, pas lindjes së vajzës së saj të parë, Alexis Olympia, që pati me bashkëshortin Alexis Ohanian, Serena nisi betejën e saj personale me peshën, jo për arsye estetike, por për shëndetin e saj.

«Gratë shpesh gjykohen për trupin e tyre, pavarësisht nga përmasa, dhe as unë nuk jam përjashtim. Por kurrë nuk e kam ndjerë presionin për të ruajtur një pamje të caktuar. Jam ndjerë gjithmonë rehat në çdo përmasë, por me ato kilogramë të tepërt, trupi im nuk më përballonte. Kisha dhimbje në nyje dhe në pjesë të ndryshme të trupit», tregoi ajo për People.

Megjithatë, pas një humbjeje fillestare të lehtë në peshë, procesi u ndal. «Nuk arrita kurrë peshën që dëshiroja, pavarësisht çfarë bëja apo sa shumë stërvitesha. Ishte e çuditshme, sepse nuk më kishte ndodhur kurrë në jetë: punoja fort, haja shëndetshëm, por rezultatet nuk vinin.»

Për një atlete të nivelit të saj, një trup që nuk reagon mund të sjellë vështirësi të mëdha psikologjike. Williams nuk i fshehu këto ndjenja, por vendosi t’i përballej ndryshe nga herët e tjera.

Në fillim kishte dyshime: «Nuk kam marrë kurrë rrugë të shkurtra në karrierën time dhe gjithmonë kam punuar shumë. Prandaj, përpara se të filloja të merrja ilaçe, bëra shumë kërkime. Pyesja veten: “A është kjo një rrugë e shkurtër? Cilat janë përfitimet?»

Në fund, e vendosur dhe gjithmonë nën mbikëqyrjen e mjekëve, në fillim të vitit 2024, rreth gjashtë muaj pas lindjes së vajzës së saj të dytë, Adira, filloi një cikël injektesh javore që i mundësuan të humbte mbi 14 kilogramë dhe të ndihej më mirë. «Jam më aktive dhe energjike. Nuk kam më dhimbje në nyje. Edhe një gjest i thjeshtë si të përkulesh është më i lehtë. Por nuk kishte asgjë të keqe me masën që kisha më parë, thjesht nuk ishte ajo që doja.»

Fituesja e 23 Grand Slam-eve ka ndarë gjithmonë në rrjetet sociale stërvitjet dhe mënyrat se si kujdesej për trupin e saj, duke publikuar shpesh video të workout-eve.

Për të qenë e sinqertë me fansat e saj, vendosi të mos fshihte faktin se gjatë vitit të fundit, përveç dietës dhe palestrës, kishte bërë edhe më shumë.

«Mendoj se është e rëndësishme që të gjithë të njohin historinë time – tha ajo, duke theksuar se asnjë ilaç vetëm nuk bën mrekulli. – GLP-1 më ndihmoi të përmirësoja gjithçka që tashmë po bëja: të haja shëndetshëm dhe të stërvitesha, qoftë si atlete profesionale në nivelet më të larta të tenisit, qoftë si një grua që shkon në palestër çdo ditë.»

Aktualisht, Serena po stërvitet për një gjysmë maratone dhe ka deklaruar se do të vazhdojë me injektimet kur ta ndjejë të nevojshme. Nuk është e para që flet hapur për përdorimin e këtyre barnave për humbje peshe. Para saj, këtë e kanë bërë edhe Oprah Winfrey, Whoopi Goldberg dhe Amy Schumer.

Kjo e fundit, në një intervistë, kishte treguar se e kishte përjetuar keq për shkak të efekteve anësore, duke nxitur debatin mbi pasojat negative, si fizike ashtu edhe estetike, të marrjes së tyre nga persona që nuk kanë një nevojë të mirëfilltë mjekësore: «Më duhej të rrija në shtrat, vjellja dhe nuk kisha energji.»

Por për të gjitha paralajmërimet e mjekëve mbi të ashtuquajturin “Ozempic face”, “Ozempic mouth” apo “Ozempic feet”, Serena Williams duket se nuk shqetësohet. Ajo mbron zgjedhjen e saj dhe shpreson të japë një shembull të mirë për vajzat e saj. «Me gjithçka që kam kaluar duke u rritur në publik, me miliona njerëz që komentonin trupin tim, është vërtet e rëndësishme t’u mësoj atyre të kenë besim tek vetja, pavarësisht masës, ashtu siç përpiqem të jem unë.»