Për vite me radhë, konsumatorët shqiptarë janë mashtruar nga produkte “luksi” që në fakt ishin të falsifikuara. Me premtimin e markave origjinale dhe çmime të ulëta, shumë biznese të papërgjegjshme kanë shitur çanta, këpucë dhe rroba të markave si Gucci, Louis Vuitton apo Dior, pa asnjë garanci dhe pa vlerë të vërtetë. Ky fenomen e ka kthyer Shqipërinë në një treg të mbushur me imitime, sidomos online, ku reklamat e produkteve të falsifikuara janë bërë të zakonshme.
Por situata pritet të ndryshojë. Me hyrjen në fuqi më 16 gusht të ligjit të ri për markat tregtare, çdo produkt që shkel të drejtat e pronësisë intelektuale do të ndalohet në dogana. Ligji ndalon importin dhe eksportin e mallrave të falsifikuara, duke u dhënë fund një tregu të ndërtuar mbi mashtrime dhe përfitime të padrejta.
Rregullat prekin edhe udhëtarët: mallrat e blera jashtë vendit që janë imitime të markave të njohura mund të konfiskohen në pika doganore, duke garantuar që vetëm produktet origjinale dhe brenda kufijve ligjorë të hyjnë në Shqipëri.
Ligji sjell edhe risi për pronarët e markave të famshme. Ata jo vetëm që mund të ngrejnë padi kundër imituesve, por edhe të kërkojnë dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara. Neni 87 parashikon sanksione të qarta për përdorim të paautorizuar të markave, ndërsa pronarët mund të kërkojnë nisjen e hetimeve zyrtare pranë Drejtorisë së Pronësisë Industriale.
Shqipëria ka vite që është kthyer në një “qendër tregtare” për mallrat e falsifikuara, veçanërisht përmes dyqaneve online në rrjete sociale. Vetëm gjatë vitit 2024, Dogana shqiptare sekuestronte mbi 40 mijë produkte të falsifikuara, por ky shifër tregon vetëm pjesën e dukshme të problemit.
Tregu i mallrave “fake” ka sjellë humbje për bizneset e ndershme dhe ka rrezikuar konsumatorët, duke u ofruar produkte pa garanci dhe shpesh të dëmshme për shëndetin, sidomos në rastin e kozmetikës ose këpucëve me materiale toksike.
Një Shqipëri pa mallra të falsifikuara do të nënkuptonte një treg më transparent, më të sigurt dhe më të drejtë për konsumatorët. Megjithatë, sfida reale mbetet zbatimi i ligjit. Pa kontroll të rreptë nga doganat, policia dhe Drejtoria e Pronësisë Industriale, tregu i imitimeve mund të gjejë përsëri rrugë alternative.
Për momentin, ligji i ri është një goditje e rëndësishme ndaj atyre që kanë përfituar nga mashtrimet me logot e firmave të njohura, dhe një hap drejt një tregu më të pastër dhe me më shumë garanci për konsumatorët shqiptarë.