Dukesha e Sussex, Meghan Markle, rikthehet në vëmendje me sezonin e dytë të show-t të saj With Love, Meghan në Netflix, duke zbuluar më shumë rreth vështirësive të jetës mbretërore dhe rëndësisë së të qenit vetvetja.
Gjatë një interviste për Emily Chung të Bloomberg, Markle foli për momentet kur ndjeu se nuk mund të ishte vetvetja gjatë qëndrimit në Londër. Ajo rrëfeu se një nga rregullat që e pengonte më shumë ishte mbajtja e çorapeve ngjyrë lëkure:
"Disa vite më parë ishte ndryshe, nuk mund të isha kaq e hapur. Duhej të vishja gjithmonë çorape ngjyrë lëkure… ishte shumë për mua. Më dukej pak jo autentike. Është një shembull i vogël, por tregon se kur mund të vishesh si të dojë zemra dhe të shprehësh atë që mendon, ndihesh rehat me veten," tha ajo.
Meghan gjithashtu foli për pasionet e saj, që gjatë viteve në pallat nuk i kishte mundur t’i ndante me publikun në mënyrën që dëshironte. Blogu i saj i lifestyle The Tig ishte mbyllur pak muaj para fejesës me Harry, por pas eksperiencës mbretërore ajo e rilancoi pasionin e saj me brandin As Ever, duke u fokusuar tek gatimi, DIY dhe kopshtaria.
Sot, Meghan duket se jeton një jetë të harmonizuar me pasionet e saj, ndërsa Harry ka kaluar ndryshime të mëdha, duke lëvizur vend, duke ndryshuar zakonet dhe rolin e tij. Lajmet për një mundësi për ri-afrim me babanë, Mbretin Charles III, për shkak të shëndetit të tij dhe ngjarjeve të ardhshme si Invictus Games 2027 në Birmingham, kanë shtuar kuriozitetin mbi të ardhmen e familjes mbretërore dhe rolin e Meghan pranë Harry-t.
Meghan Markle duket e vendosur të qëndrojë autentike, duke ecur përpara me projekte që e pasionojnë dhe duke treguar se jeta pas pallatit mund të jetë po aq interesante sa ajo brenda tij.