Mesa duket, himni i verës këtë vit u ruajt për në fund të saj. Alban Skënderaj dhe Elgit Doda, dyshja që prej kohësh kanë gjetur gjuhën e përbashkët mes romantizmit dhe ritmit modern, vijnë me këngën “Margaritar”, një dedikim për gruan shqiptare, për forcën dhe hijeshinë e saj.

Që në notat e para, kënga të jep ndjesinë e një balade që ka marrë frymë nga polifonia e jugut, por është paketuar me një prodhim modern. Refreni është i fuqishëm, por mbi të gjitha i lehtë për t’u përqafuar, aq sa pas dy dëgjimeve e këndon pa u menduar.

Teksti është një kombinim i metaforave tradicionale me një lirizëm më urban, duke krijuar një kontrast që vetëm këta dy autorë dinë ta sheshojnë në mënyrë organike. Një herë ndihesh sikur je në një dasmë shqiptare mes jugut, e një herë tjetër në një festival muzikor europian.

Muzika shqiptare mund të jetë moderne pa harruar rrënjët, e njëkohësisht intime pa humbur madhështinë.
Prandaj, po, ndoshta vera gati po mbaron… por “Margaritar” është kënga që do të na e zgjasë edhe pak.