Kur flokët tanë janë në gjendje të dëshpëruar dhe duan kujdes të veçantë, reagimi ynë i parë është të kapim një trajtim të thellë me proteinë, të lyejmë fijet, të bëjmë një lutje të vogël te “perënditë e bukurisë” dhe të presim që majat e thata dhe brishtësia të zbuten.
Sipas dermatologes Hope Mitchell, proteina është “blloku ndërtues i flokëve”. Flokët janë të përbërë kryesisht nga keratina (një lloj proteine), ndaj produktet dhe trajtimet që përmbajnë proteinë ndihmojnë në forcimin e strukturës së tyre.
Dermatologia Marisa Garshick shton se proteina riparon dhe zvogëlon thyerjen e flokëve, duke krijuar edhe një barrierë rreth çdo fijeje për të mbajtur lagështinë dhe për t’i mbrojtur nga dëmtimi që shkaktojnë ngjyrimet, nxehtësia apo edhe stilet mbrojtëse. “Mendojeni si të mbushni pikat e dobëta,” – thotë Dr. Mitchell.
A është e sigurt?
Po, thotë Dr. Mitchell, proteina është e sigurt për çdo lloj floku por nevoja ndryshon. Flokët e hollë, të dobët ose të trajtuar kimikisht përfitojnë më shumë sepse humbin shpejt forcën dhe strukturën. Edhe flokët kaçurrelë e me onde kanë nevojë për proteinë, me kusht që të mbahet ekuilibri mes saj dhe lagështisë. Nëse flokët janë tashmë të fortë e të shëndetshëm, ndoshta nuk keni nevojë për shtesë.
Anët negative
Ka edhe “tepricë proteine”. Hairstylist-i Devin Graciano shpjegon: “Kur ka shumë proteinë dhe pak lagështi, flokët humbin elasticitetin, bëhen të thatë, ngatërrohen lehtë dhe thyhen shpejt.” Shenjat e ndjeshmërisë ndaj proteinës janë flokë që duken të ashpër, të fortë si kashtë, ose që këputen lehtë edhe pse më parë ishin të butë.
Llojet e trajtimeve
Në sallon: trajtime intensive me përqendrim më të lartë të përbërësve aktivë, ideale për flokë shumë të dëmtuar ose pas zbardhimeve/relaksuesve kimikë.
Në shtëpi: shamponë, balsamë dhe maska që përmbajnë proteina si keratinë, proteina gruri, soje, bizele, mëndafshi ose orizi.
DIY natyrale: maska me vezë e vaj ulliri, kos e mjaltë, apo avokado që japin një forcim të përkohshëm, por nuk janë aq efektive sa formulat laboratorike.
Ekspertët theksojnë se proteinat natyrale shpesh nuk depërtojnë thellë në fijet e flokut si ato të krijuara në laborator, ndaj rezultatet mund të jenë më sipërfaqësore.