Edhe pse po rriten në Kaliforni, fëmijët e Meghan Markle dhe princit Harry nuk i harrojnë rrënjët britanike të babait. Për këtë ka treguar vetë Meghan, e cila, me rastin e sezonit të dytë të serialit të saj në Netflix With Love, Meghan, ka zbuluar se të vegjlit Archie, 6 vjeç, dhe Lilibet, 4 vjeç, shqiptojnë disa fjalë me një stil britanik të dallueshëm, ashtu si babai i tyre. Fjala që më së miri zbulon ndikimet britanike, dhe që e argëton më shumë Meghan kur e dëgjon, është “zebra”. Dy të vegjlit e shqiptojnë “ze-bra” në mënyrën britanike, ndërsa në SHBA thuhet “zi-bra”. Për ata që pyesin, si edhe ne, fjalori shpjegon se në Mbretërinë e Bashkuar shqiptohet /?zeb.r?/ (me zanoren /e/ si te fjala “head”), ndërsa në Shtetet e Bashkuara shqiptohet /?zi?.br?/ (me zanoren /i?/ si te fjala “sheep”)

«Kanë një theks shumë amerikan, por ka disa fjalë që u dalin fiks siç do t’i thoshte babai i tyre, dhe kjo është shumë e ëmbël», ka treguar Meghan edhe gjatë pjesëmarrjes në The Drew Barrymore Show. Ajo shtoi se sidomos në kuzhinë, fëmijët parapëlqejnë të flasin si mamaja, «sepse babai nuk gatuan shumë». Por nuk mbaron këtu: Meghan zbuloi se edhe mes saj dhe Harry-t ka dallime gjuhësore për të cilat të dy qeshin shpesh. Një rast është fjala “herb”, që ajo e shqipton në mënyrën amerikane, me “h” të pashqiptuar, ndërsa bashkëshorti këmbëngul në versionin britanik. «Gjithmonë qesh kur unë them “erbs”», tregoi ajo. «Më thotë: je kaq amerikane».

Që prej vitit 2020, kur Harry dhe Meghan hoqën dorë nga rolet zyrtare brenda familjes mbretërore, çifti jeton në Montecito, Kaliforni, një qytet i qarkut Santa Barbara, ku në vitin 2021 lindi Lilibet dhe ku familja duket se ka gjetur një qetësi të dukshme. Ndoshta, fjalë pas fjale, një theks amerikan dhe një nuancë britanike mund të shndërrohen në një urë mes dy botëve që sot duken të pamundura për t’u bashkuar.