Mbrëmja e djeshme në kalanë madhështore të Kaninës u shndërrua në një ngjarje të rrallë kulturore, ku historia, arti dhe muzika u shkrinë në një spektakël që do të mbetet gjatë në kujtesën e artit shqiptar. Në këtë hapësirë të lashtë, e mbushur me shekuj historie dhe kujtese kombëtare, vezulluan emrat më të mëdhenj të artit shqiptar: mjeshtri i fjalës Timo Flloko, sopranoja e mrekullueshme Ermonela Jaho dhe tenori virtuoz Saimir Pirgu.

Magjia e artit dhe fjalës

Në krye të kësaj mbrëmjeje qëndroi vetë Timo Flloko, mjeshtër i emocioneve dhe mendimit të thellë, i cili bashkoi fuqinë e fjalës me notat e artit muzikor të Jahos dhe Pirgut, për të dhuruar një sintezë arti dhe shpirti që mbajti publikun pa frymë.

Ermonela Jaho, sopranoja shqiptare më e njohur në botë, dhe Saimir Pirgu, tenori shqiptar më i kërkuar në skenat ndërkombëtare, sollën disa nga ariet më të bukura të repertorit botëror, duke e kthyer natën në një udhëtim emocional që tejkaloi kufijtë e muzikës.

Surprizat që ndezën emocionet

Një nga momentet më kulmore të mbrëmjes ishte interpretimi live për herë të parë i këngës “Aulona”, një baladë dashurie për qytetin e Vlorës dhe për dashurinë e pastër, me tekst të Timo Fllokos dhe të kënduar nga Alban Skënderaj.

Ndërsa Aurela Gaçe, me energjinë dhe performancën e saj unike, interpretoi “Hape veten ti”, gjithashtu me tekst të Fllokos, dhe solli një performancë të paharrueshme, duke bashkuar në skenë Jahon dhe Pirgun në një moment të rrallë muzikor.

Elegancë dhe virtuozitet

Publiku u magjeps edhe nga prezenca e balerinit të famshëm ndërkombëtar Eno Peçi, i cili me dy numra artistikë të mbushur me elegancë, solli në skenë fuqinë dhe delikatesën e artit të baletit.

Nën drejtimin e dirigjentit virtuoz, orkestra simfonike interpretoi disa nga pjesët më të bukura të muzikës klasike live, duke krijuar një atmosferë unike që përqafoi çdo notë me mjeshtëri.

Momenti emocional u thellua me “Schindler’s List”, e interpretuar nga violinistja virtuozë, që preku zemrat e çdo shqiptari të pranishëm.

Për Shqipërinë që bëhet

Duartrokitjet më të fuqishme të mbrëmjes i rrëmbeu monologu i Timo Fllokos për Shqipërinë që po bëhet nga shqiptarët që e duan, jetojnë dhe punojnë në këtë vend, një thirrje e sinqertë për dashuri dhe besim te atdheu. E gjithë nata u mbyll me këngën “Rrjedh në këngë e ligjërime”, që ngriti publikun në këmbë dhe e mbushi atmosferën me emocione dhe krenari.

Një produksion që bëri histori

Ky produksion i realizuar nga Vera Grabocka solli një dimension të ri të artit klasik dhe bashkëkohor, duke arritur të bashkojë, në një agjendë të ngjeshur ndërkombëtare, disa nga artistët më të mëdhenj shqiptarë të skenave botërore për një natë që tashmë është pjesë e historisë së Kaninës dhe e kujtesës së artit shqiptar.

Koncerti i plotë do të transmetohet së shpejti në Televizionin Klan, duke i dhënë mundësi çdo shqiptari të përjetojë këtë mbrëmje të jashtëzakonshme, që ndriçoi Kaninën si një qiell i mbushur me yje dhe ngriti zemrat peshë.