Pavarësisht humbjes së mbrojtjes së sigurisë, Princ Harry nuk e ka humbur shpresën për t’i rikthyer gruan e tij, Meghan Markle, dhe fëmijët në Mbretëri të Bashkuar.

“Ai nuk ka hequr dorë nga ideja për ta sjellë familjen e tij në Angli. Do që t’u tregojë fëmijëve ku është rritur dhe t’i njohë me familjen e tij këtu. Do të donte shumë të kthehej më shpesh,” tha një mik i tij për Sunday Times.

Duka i Sussex, 40 vjeç, nuk ka shkruar më në Londër me të gjithë familjen që prej vitit 2022, kur Sussex-ët morën pjesë në festimet e jubileut të platinës së Mbretëreshës Elizabeth II. Pas asaj kohe, Meghan nuk është rikthyer më në Angli, ndërsa vajza e tyre, Lilibet, ka qenë vetëm një herë.

Harry kishte apeluar kundër vendimit të qeverisë britanike për t’ia hequr mbrojtjen publike pas largimit nga detyrat mbretërore, por e humbi betejën ligjore, e cila i ka kushtuar mbi 1 milion dollarë. Burime pranë tij pranojnë se “lufta publike me gjykatat nuk ishte ideja më e mençur”, ndaj tani pritet të ndjekë një qasje më diskrete, duke përdorur lobby privat për të siguruar mbrojtje për familjen.

Në një intervistë të dhënë më herët për BBC, Harry u shpreh:
“Nuk e shoh të mundur ta sjell gruan dhe fëmijët e mi në Angli tani. Dhe gjërat që do të humbasin… gjithçka. Unë e ndjej mungesën e Mbretërisë së Bashkuar.”

Këtë javë, Harry pritet të udhëtojë në Londër për WellChild Awards, por nuk do të ketë kohë të takohet me të atin, Mbretin Charles III, të cilin nuk e ka parë që nga shkurti 2024, kur ata patën një takim të shkurtër pas shpalljes së diagnozës së kancerit.

Në kujtesë është ende libri autobiografik i Harry-t, “Spare” (2023), që ekspozoi publikisht marrëdhëniet e tensionuara me Mbretin Charles dhe vëllain e tij, Princin William. Vetë Harry ka thënë:
“Nuk e di sa kohë më ka mbetur me babain tim. Nuk flet me mua për shkak të çështjes së sigurisë… Disa anëtarë të familjes sime nuk do të më falin kurrë për librin dhe për gjëra të tjera. Por unë do të doja një pajtim me ta.”