Pesëmbëdhjetë vjet pas Kupës së Botës 2010 në Afrikën e Jugut, himni i këtij eventi, “Waka Waka”, vazhdon të tërheqë vëmendjen. Së fundmi, një hetim zbuloi se FIFA ka përfituar rreth 8 milionë euro nga të ardhurat e kësaj kënge, përmes Sony Music.
Paratë ishin parashikuar të shpërndaheshin tek organizatat bamirëse të përzgjedhura nga Shakira dhe grupi Freshlyground, të cilët morën pjesë në këngë. Megjithatë, përfaqësues të këngëtarëve dhe Sony Music deklarojnë se nuk kanë informacion se si FIFA ka përdorur këto fonde.
Raporti gjithashtu tregon se të ardhurat nga kënga, e cila ka arritur mbi 4 miliardë klikime në YouTube, janë shfrytëzuar për ndërtimin e qendrave sportive në 15 vende afrikane, përmes një shoqate bamirësie që, sipas dokumenteve, është mbyllur që në vitin 2014.
Në një reagim zyrtar, FIFA theksoi se vazhdon të investojë në këto objekte sportive përmes të ardhurave nga të drejtat e autorit, pa dhënë detaje për shumën e përdorur.