Pas rikthimit në politikën aktive, Ervin Salianji ka folur hapur për eksperiencën e tij të qëndrimit në burg gjatë nëntë muajve dhe gjysmë të fundit, duke e cilësuar mungesën e lirisë si pjesën më të vështirë të përvojës. Intervista u zhvillua në emisionin Dekalog me Roland Qafokun në DritareTV.

“Kanë qenë nëntë muaj e gjysmë. Nuk i kam numëruar ditët një nga një, sepse numëroja mbrapsht, nga dita kur do të dilja. Për një njeri aktiv, që jeton me ritëm të lartë, me takime të vazhdueshme me qytetarët, ishte shumë e rëndë të përfundoja papritur në një hapësirë ku nuk mund të lëvizje fare. Më e rënda ishte mungesa e lirisë. Derisa nuk ta heqin, nuk e kupton sa e rëndësishme është.”

Salianji tha se qëndrimi në burg ishte kryesisht i vetëm, sipas protokolleve të sigurisë, dhe kushtet ishin të vështira:

“Unë kam qenë vetëm në qeli. Kushtet kanë qenë të vështira, nuk po them të tmerrshme, por jo të denja për njerëzimin. Nuk kishte as ngrohje, as ftohje. Besoj se një ditë duhet të diskutohet seriozisht edhe për kushtet në burgje dhe mënyrën si trajtohen ata që vuajnë dënimin.”

Salianji mbajti shënime të detajuara gjatë kohës në burg dhe ka planifikuar t’i botojë në një libër:

“Kam mbajtur ditar gjatë gjithë kohës në burg. Kam mbajtur shënime të detajuara, të cilat do t’i përmbledh në mënyrë të strukturuar. Besoj se do të botoj një libër me to.”

Ai tregoi gjithashtu se aktiviteti fizik, leximi dhe disiplina e ndihmuan të ruante energjinë dhe shëndetin:

“Leximi, aktiviteti fizik, disiplina, më ndihmuan të ruaja energjinë. Ishte mënyra ime për të mos u dorëzuar.”

rvin Salianji u pyet nga gazetari se si arriti të dilte nga burgu pas nëntë muajsh me më shumë flokë, pasi u fol gjatë për faktin se ai kishte mbjellë flokët.

Salianji iu përgjigj gazetarit. “Po kthehet një histori sakrifice, në histori leshi. Nuk kam dashur të jap përgjigje."

Ai shtoi se të burgosurit kanë të drejtën për aktivitetet dhe shërbimet shëndetësore, por nuk mund të kenë avantazhe speciale. Po ashtu ai tha se ka bërë një ndërhyrje gjatë kohës që ka qenë në burg.

“Pas përfundimit të gjysmës së dënimit, kam pasur të drejtën të dal me leje si çdo burgosur tjetër. Por kjo e drejtë më është penguar disa herë, nuk më është lejuar të dal nga burgu në periudha të caktuara. Unë kam pasur një ndërhyrje, për shkak të një dëmtimi nga futbolli, në këmbë. U detyrova të bëj një ndërhyrje në një spital privat, sepse burgjet nuk ofrojnë shërbim të tillë. Ndërhyrja kishte risk, mund të shkaktonte trombozë. Për fat, gjithçka shkoi mirë.", tregoi Salianji.