Janë dy testamentet që Giorgio Armani ka lënë pas, të dy të shkruar me dorën e tij dhe të mbyllur në zarf. Hapja zyrtare ndodhi më 9 shtator, para noteres Elena Terrenghi, vetëm pak ditë pas vdekjes së stilistit, i cili u shua më 4 shtator në moshën 91-vjeçare. Dokumentet, të datuara më 15 mars dhe 5 prill 2025, përmbajnë amanetet e fundit të themeluesit të një perandorie mode, pasuria e të cilit vlerësohet mes 11 dhe 13 miliardë euro.
Fakti që Armani ka përpiluar dy akte në një periudhë kaq të shkurtër kohe lë të kuptohet se ka pasur një përditësim ose një korrigjim nga një tekst tek tjetri. Në lojë nuk janë vetëm pronat dhe investimet personale, por edhe fati i Giorgio Armani Spa, që kontrollohej pothuajse tërësisht (99,9%) nga stilisti. Vetëm 0,1% i përkiste Fondacionit Armani.
Pasuria përfshin rezidenca luksoze të shpërndara në mbarë botën nga Antigua në New York, nga Parisi në Saint Moritz, nga Pantelleria në Saint Tropez si dhe vilën në Forte dei Marmi, rezidencën historike në via Borgonuovo të Milanos dhe Villa Rosa në Oltrepò Pavese. Përveç tyre, trashëgimia përfshin edhe jahtet, vepra arti, pjesëmarrje në grupe ndërkombëtare si EssilorLuxottica dhe kantieret detare The Italian Sea Group.
Armani nuk kishte fëmijë, ndaj kishte lirinë të dispononte plotësisht për pasurinë e tij, pa qenë i detyruar të respektonte “kuotat e ligjshme”. Trashëgimtarët e drejtpërdrejtë janë tre nipërit: Silvana dhe Roberta, vajzat e vëllait të tij Sergio, dhe Andrea Camerana, djali i motrës Rosanna, së bashku me motrën e tij. Krahas familjarëve, një rol të veçantë pritet ta ketë Leo Dell’Orco, partneri i jetës dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Armanit, gjithmonë i përfolur si ruajtësi i vizionit të themeluesit.
Përfliten gjithashtu edhe trashëgimi të mundshme për bashkëpunëtorë të tjerë afatgjatë apo për organizata bamirësie, në linjë me angazhimin social dhe kulturor që Giorgio Armani kishte kultivuar në vitet e fundit.
Mes dispozitave që kanë dalë tashmë në dritë, rëndësi të veçantë ka Fondacioni Armani, i krijuar rreth dhjetë vite më parë nga stilisti së bashku me Dell’Orco dhe bankierin Irving Bellotti të Rothschild Italia. Sipas zërave, Fondacioni mund të marrë një rol qendror në drejtimin e grupit, duke garantuar vazhdimësinë dhe besnikërinë ndaj filozofisë së markës.
Armani kishte përcaktuar disa parime të qarta për të ardhmen: asnjë zhvendosje e selisë nga Italia dhe ndalim i listimit në bursë për të paktën pesë vitet pas vdekjes së tij. Një vizion që konfirmon vullnetin e tij për të ruajtur pavarësinë dhe identitetin e shtëpisë së tij të modës.