FBI ka publikuar pamje të reja të autorit të dyshuar që vrau me armë zjarri aktivistin konservator Charlie Kirk gjatë një aktiviteti në kampusin e Utah Valley University, më 10 shtator 2025.
Në video shihet një burrë i veshur me rroba të errëta duke vrapuar mbi një çati, më pas duke kërcyer poshtë dhe duke u larguar drejt një zone me pyje pranë universitetit. Autoritetet besojnë se ai qëlloi nga një ndërtesë rreth 200 metra larg vendit ku Kirk mbante fjalim, në kuadër të turit të tij “American Comeback Tour”, organizuar nga Turning Point USA, lëvizja që ai themeloi.
Sipas FBI-së, në vendin e ngjarjes u gjetën gjurmë këpucësh, shenja krahu dhe gishti, ndërsa arma, një pushkë precize me bolt u rikuperua në një zonë pyjore pranë kampusit.
Agjentët federalë kanë shpallur një shpërblim prej deri në 100 mijë dollarësh për këdo që jep informacion që çon në identifikimin dhe arrestimin e autorit. Pamjet e sigurisë dhe fotot e publikuara tregojnë një person të dyshuar me bluzë të zezë me mëngë të gjata, kapele dhe syze dielli. Autoritetet thonë se ai duket në moshë kolegji dhe arriti të përzihej mes studentëve para se të arratisej në një lagje aty pranë.
Dy persona u shoqëruan fillimisht nga policia ditën e ngjarjes, por u lanë të lirë pa akuza. Guvernatori i Utah konfirmoi se FBI ka marrë mbi 7 mijë këshilla nga qytetarët, por ende nuk ka asnjë arrestim.
Një student i universitetit i tha CNN se kishte parë një burrë të ngjashëm mbi çatinë e qendrës Losee dy herë javët e fundit. Ai e përshkroi si “djalë të bardhë, të gjatë dhe të dobët, me flokë të errët dhe një çantë shpine”, i cili ditën e atentatit shikonte drejt oborrit ku ndodhej Kirk. Edhe pse e kishte vënë re sjelljen e çuditshme, studenti nuk e raportoi menjëherë tek autoritetet.
Charlie Kirk, 31 vjeç, ishte një figurë e njohur e të djathtës amerikane, i cili udhëtonte shpesh në kampuse universitare dhe drejtonte një podcast me ndikim te konservatorët e rinj. Ai ishte gjithashtu një këshilltar i afërt i ish-presidentit Donald Trump gjatë tre fushatave të tij presidenciale.
Kirk u qëllua në qafë dhe vdiq në vend. Ai lë pas bashkëshorten, ish-Miss Arizona USA, Erika Frantzve, dhe dy fëmijët e tyre të vegjël: një vajzë 3-vjeçare dhe një djalë 1-vjeçar.