Offset më në fund ka folur hapur për divorcin e bujshëm me Cardi B, duke lënë të kuptohet se nuk ka ndërmend të nxisë drama të reja.

Në një prononcim për TMZ, reperi i “Swing My Way” tha se prioriteti i tij është paqja dhe mirëqenia e familjes:

“Ne kemi fëmijë për të rritur. Dua vetëm që ata të jenë mirë.”

Offset dhe Cardi B kanë tre fëmijë: Kulture Kiari (7 vjeçe), Wave Set (4 vjeç) dhe vajzën më të vogël, Blossom Belle, vetëm 1 vjeç. Pavarësisht ndarjes, Offset theksoi se do të vazhdojë të mbështesë karrierën e ish-bashkëshortes së tij, madje konfirmoi se do të qëndrojë pranë saj për publikimin e albumit më të ri Am I the Drama, që del më 12 shtator.

Ndërkohë, Cardi B po tregon një qasje më të ashpër. Në intervistën e saj për Billboard në shtator, kur u pyet nëse shihte një miqësi të mundshme me Offset në të ardhmen, ajo e mbylli shpejt temën me:

“E provova. Pyetje tjetër.”

Kjo nuk është hera e parë që Cardi shfaq hapur zhgënjimin e saj. Në qershor, gjatë një bisede në X Spaces, ajo e quajti Offset “baba i papërgjegjshëm”, duke pretenduar se e kishte lënë për një vit të tërë me të gjitha faturat e fëmijëve, nga shkollimi privat dhe aktivitetet jashtëshkollore, deri te siguria 24-orëshe, dadoja dhe një shef personal.

Cardi B paraqiti kërkesën për divorc në korrik 2024, me synimin kryesor të siguronte kujdestarinë kryesore të fëmijëve. Burime pranë çiftit thanë se ndarja nuk ishte e papritur, pasi të dy prej kohësh kishin reflektuar mbi të ardhmen e tyre.

Çifti u martua në vitin 2017 dhe prej muajsh përflitej për kriza në marrëdhënie para se të vinte ndarja ligjore.

Cardi B ka vijuar shpejt përpara. Së fundmi ajo fitoi një proces civil prej 24 milionë dollarësh dhe është lidhur në thashetheme romantike me yllin e NFL, Stefon Diggs.

Offset, nga ana tjetër, duket i vendosur të shmangë përplasjet publike, duke u fokusuar tek roli i tij si baba dhe tek bashkëprindërimi. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse Cardi do ta takojë në gjysmë të rrugës.