Shqipëria është bërë vendi i parë në botë që ka një ministre të krijuar nga inteligjenca artificiale — jo ministre për çështjet e AI-së, por një ministre virtuale, e përbërë nga pikselë dhe kod, e fuqizuar nga inteligjenca artificiale, shkruan Politico, përcjell Katror.info.
Emri i saj është Diella, që në shqip do të thotë “rreze dielli”, dhe ajo do të jetë përgjegjëse për të gjitha procedurat e prokurimit publik, njoftoi të enjten kryeministri Edi Rama.
Gjatë verës, Rama kishte hedhur idenë se një ditë vendi mund të kishte një ministre digjitale e madje edhe një kryeministër të udhëhequr nga inteligjenca artificiale, por pak kush mendonte se kjo ditë do të vinte kaq shpejt. Në Asamblenë e Partisë Socialiste në Tiranë, të enjten, ku Rama shpalli cilët ministra do të largoheshin dhe cilët do të vazhdonin mandatin, ai prezantoi edhe Diellën, anëtaren e vetme jo-njerëzore të qeverisë.
“Diella është anëtarja e parë që nuk është fizikisht e pranishme, por e krijuar virtualisht nga inteligjenca artificiale,” u tha Rama delegatëve të partisë.
View this post on Instagram
Ai bëri të ditur se vendimet për tenderët do të nxirreshin “jashtë ministrive” dhe do t’i kalonin në dorë Diellës, e cila do të ishte “shërbyese e prokurimit publik.” Procesi, sipas tij, do të zhvillohet “hap pas hapi”, por Shqipëria do të bëhet një vend ku tenderët publikë do të jenë “100 për qind të pakorruptueshëm dhe çdo fond publik që kalon përmes procedurës së tenderimit është 100 për qind i lexueshëm.”
“Kjo nuk është shkencë fiksioni, por detyra e Diellës,” theksoi Rama.
Diella është tashmë e njohur për qytetarët shqiptarë, pasi fuqizon platformën e-Albania, që u mundëson qytetarëve të kenë qasje digjitale pothuajse në të gjitha shërbimet qeveritare. Ajo madje ka edhe një avatar, ku paraqitet si një vajzë e re e veshur me kostum tradicional shqiptar.
Diella do të vlerësojë tenderët dhe do të ketë të drejtën të “punësojë talente nga e gjithë bota,” duke thyer “frikën e paragjykimeve dhe ngurtësinë e administratës.”
View this post on Instagram
Shqipëria ka kohë që përballet me korrupsionin, veçanërisht në administratën publike dhe në fushën e prokurimit publik, çështje që vazhdimisht janë theksuar nga Bashkimi Evropian në raportet e tij vjetore mbi sundimin e ligjit.
Rama fitoi mandatin e katërt historik në maj të vitit 2025, duke u zotuar se Shqipëria do t’i bashkohet BE-së deri në vitin 2030.