Aktivistja nga aleanca LGBT+ Xheni Karaj ka bërë një reagim në lidhje me Projektligjin “Për Barazinë Gjinore në Shoqëri”. Xheni me anë të një postimi në Facebook, shkruan se me këtë projektligj, ka disa dezinformime që përhapen në mënyrë të qëllimshme. 

Më tej aktivistja deklaron se përkufizimi gjithëpërfshirës është interpretuar gabimisht dhe dashakeqësisht si një hap drejt “70 gjinive” në Shqipëri, gjë që nuk ka bazë ligjore. Në fund Karaj shkruan se përkufizimi aktual i gjinisë në ligj nuk ka të bëjë me këtë realitet, pasi lidhet mënyrën se si individët e jetojnë dhe shprehin veten dhe identitetin e tyre në shoqëri.

Në Lidhje me Konceptin e Gjinisë në Kuadër të Projektligjit “Për Barazinë Gjinore në Shoqëri” Ditët e fundit jemi përballur me reagime të forta publike mbi një propozim në projektligjin “Për Barazinë Gjinore në Shoqëri”, i cili e përkufizon “gjininë” si një koncept në përputhje me parimet e mosdiskriminimit dhe gjithëpërfshirjes lidhur me identitetin dhe shprehjen gjinore të individëve.

Është koha të jemi të qartë: përkufizimi i gjinisë në projektligjin për barazinë gjinore nuk është “shpikje” që i shërben kaosit nga dezinformimi, por një garanci minimale dhe e pastër ligjore. Ky përkufizim nuk ndryshon biologjinë, as seksin, nuk shpik gjini të reja, nuk ndryshon faktin se në Shqipëri personat transgjinorë nuk njihen ligjërisht, apo faktin se çiftet e së njëjtës gjini nuk mund të kenë bashkëjetesë apo martesë ligjore, pavarësisht standardeve të të drejtave të njeriut në këto fusha, të cilat duhet të jenë objekti i diskutimeve të tjera të informuara. Përkufizimi i gjinisë në projektligjin në fjalë siguron që çdo njeri, vajzë apo djalë, grua apo burrë, person interseks e person transgjinor, pa dallim të gëzojë të njëjtat të drejta dhe të trajtohet me të njëjtin respekt dhe dinjitet njerëzor, për faktin e thjeshtë se është njeri.

Ky përkufizim gjithëpërfshirës është interpretuar gabimisht dhe dashakeqësisht si një hap drejt “70 gjinive” në Shqipëri, apo si një legjitimim i identifikimit të njerëzve me kafshë. Këto pretendime nuk kanë asnjë bazë ligjore dhe nuk kanë lidhje me realitetin juridik. Sqarojmë se ky projektligj nuk ka se si ta “ndryshojë” biologjinë. Në biologji ekzistojnë sekset femra, meshkuj dhe persona interseks (të lindur biologjikisht me karakteristikat e dy sekseve). Kjo është një e dhënë mjekësore dhe realitet biologjik i pranuar ndërkombëtarisht.

Përkufizimi aktual i gjinisë në ligj nuk ka të bëjë me këtë realitet, pasi në asnjë moment nuk përmend seksin biologjik. Gjinia si një kategori sociale dhe juridike, lidhet me mënyrën se si individët e jetojnë dhe shprehin veten dhe identitetin e tyre në shoqëri. Qëllimi i propozimit ligjor është i thjeshtë: askush të mos diskriminohet për këtë arsye, në përputhje me kuadrin ligjor për mbrojtjen nga diskriminimi dhe kuadrin ligjor ndërkombëtar të detyrueshëm për Shqipërinë.

Kushtetuta e Shqipërisë, në nenin 18, ndalon diskriminimin e padrejtë. Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi (2010) e ka përfshirë qartë identitetin dhe shprehjen gjinore si karakteristika të mbrojtura. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka vendosur vazhdimisht se identiteti gjinor mbrohet nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe se çdo trajtim i pabarabartë mbi këtë bazë është i ndaluar. Po kështu, Karta e të Drejtave Themelore të BE-së dhe jurisprudenca e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së e konsiderojnë diskriminimin mbi bazën e identitetit gjinor si diskriminim mbi bazë gjinie.

Për Shqipërinë, e cila është vend kandidat për anëtarësim në BE dhe vend që ka ratifikuar të gjitha konventat ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut kjo nuk është zgjedhje, por detyrim. Harmonizimi i legjislacionit me standardet evropiane dhe ndërkombëtare mbi barazinë dhe mosdiskriminimin është kusht i panegociueshëm. Në këtë kuptim, përkufizimi i gjinisë nuk është një imponim dashakeqës që rrezikon të fusë shoqërinë në kaos, por një detyrim ligjor dhe ndërkombëtar i respektit, mbrojtjes dhe garantimit të të drejtave të njeriut, pa dallim për çdo individ.

Në një kohë ku do të duhet të diskutonim mbi atë çka vërtet parashikon ligji, arritjen e barazisë kuptimplotë gjinore në shoqëri pa kurrfarë diskriminimi, diskursi publik shpërndahet drejt skenarëve apokaliptikë të “shkatërrimit kombëtar”. Këto janë narrativa që nuk e ndihmojnë shoqërinë tonë, por e mbajnë të bllokuar në frikë. Në vend që të ushqehemi me frikëra imagjinare, le të pranojmë se respektimi i dinjitetit njerëzor dhe i barazisë është jo vetëm një detyrim ligjor i Shqipërisë, por edhe një vlerë themelore për një shoqëri demokratike që dëshiron të ecë përpara.

Në një postim të dytë, aktivistja u është përgjigjur disa nga pyetjeve që janë bërë në lidhje me ketë çështje. 

Mos bini pre e dezinformimit! Në vijim i përgjigjemi çudirave të dëgjuara ditëve të fundit mbi Projektligjin "Për Barazinë Gjinore në Shoqëri".
1. A do të thotë kjo se Shqipëria po i hap rrugën gjinisë së shumëfishtë dhe po lejon “mbi 70 gjini”?
Jo. Përmbajtja e projektligjit nuk “shpik” gjini të reja. Koncepti “gjini e shumëfishtë” nuk ekziston në projektligj dhe nuk është një koncept ligjor. Përkufizimi i gjinisë në këtë projektligj synon vetëm të mbrojë qytetarët nga diskriminimi mbi baza gjinore, pavarësisht çdo karakteristike personale të tyre.
2. Po biologjia, a ndryshon me këtë projektligj?
Jo. Biologjia mbetet e njëjtë: ekzistojnë sekset femra, meshkuj dhe persona interseks (të lindur me karakteristika të të dyja sekseve). Projektligji “Për Barazinë Gjinore në Shoqëri” nuk ndryshon biologjinë, sepse nuk ka këtë objekt ligjor, çka praktikisht e bën të pamundur. Ky projektligj rregullon vetëm çështje që lidhjen me arritjen dhe garantimin e barazisë gjinore në shoqëri pa diskriminuar askënd nga ky objekt.
3. A mund të identifikohet dikush si kafshë pas miratimit të këtij projektligji?
Absolutisht jo. Ky pretendim është dezinformim dashakeqës i publikut. Projektligji mbron dhe garanton dinjitetin njerëzor dhe të drejtat e qytetarëve, jo ato të kafshëve. Nuk ka aktualisht asnjë vend në botë që të lejojë identifikimin ligjor të një njeriu si kafshë.
4. Pse është i domosdoshëm përkufizimi gjithëpërfshirës i gjinisë në këtë projektligj?
Sepse pa të ligji mbetet i paqartë dhe krijon hapësira për diskriminim për shkak të identitetit gjinor. Ky përkufizim siguron që çdo qytetar të ketë mbrojtje të qartë ligjore. Ky përkufizim është i bazuar në standardet ndërkombëtare të detyrueshme për t`u zbatuar nga Shqipëria, e cila është shtet anëtar i Këshillit të Europës; Kombeve të Bashkuara dhe ka ratifikuar çdo konventë kryesore të të drejtave të njeriut.
5. A po sjell ky projektligj një “modë të huaj”?
Jo. Këto janë standarde evropiane dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që Shqipëria është e detyruar t’i zbatojë si vend kandidat për BE dhe si anëtare e Këshillit të Evropës, Kombeve të Bashkuara dhe si shtet ratifikues i një sërë konventash ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
6. A rrezikon ky projektligj kulturën shqiptare dhe vlerat kombëtare?
Jo. Barazia dhe dinjiteti i çdo qenieje njerëzore nuk janë vlera kundër kulturës sonë, por parime universale që e forcojnë shoqërinë dhe e bëjnë më të drejtë ndaj kujtdo.
7. A synon ky projektligj familjen?
Jo. Përkundrazi, ky projektligj që synon arritjen e barazisë gjinore në shoqëri e mbron familjen, duke siguruar që çdo anëtar i komunitetit, si pjesë e një familjeje të madhe, të trajtohet me respekt dhe barazi, pa frikë nga diskriminimi.
8. Po pse tani?
Sepse Shqipëria është në proces aktiv negociatash për integrimin në BE dhe harmonizimi i ligjeve me standardet europiane dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut është detyrim ligjor, jo zgjedhje politike.
9. Cila është pjesa me të vërtetë “e dëmshme” dhe “e rrezikshme” e këtij diskutimi?
Narrativat e rreme që përhapin frikë, urrejtje dhe intolerancë. Këto janë zëra ekstremistë që nuk përfaqësojnë vlerat demokratike të Shqipërisë dhe dëmtojnë rrugën tonë drejt integrimit europian dhe standardeve demokratike të mbrojtjes së jetës dhe dinjitetit njerëzor.
10. Pse në çdo lajm që ka mbuluar këtë temë gjatë ditëve të fundit përmendet një klerik fetar?
Shqipëria është shtet laik. Ligjet tona nuk shkruhen sipas interpretimeve fetare, por bazohen në Kushtetutë, detyrime ndërkombëtare dhe vlera demokratike. Përfshirja e klerikëve fetarë në këtë debat ligjor është një përpjekje për ta kthyer një çështje të pastër juridike në debat ideologjik fetar, që ngjall frikë, pasiguri dhe urgjencë në shoqëri.
11. A është e vërtetë se ky projektligj është “rrëzuar” më parë nga Gjykata Administrative?
Jo. Ky pretendim është plotësisht i rremë. Vetëm Gjykata Kushtetuese ose Kuvendi i Shqipërisë kanë një kompetencë të tillë. Gjykata Administrative nuk ka patur asnjë rol në këtë proces.