Modelja dhe autorja e librave të gatimit, Chrissy Teigen, ka folur për herë të parë hapur mbi përdorimin e Ozempic, ilaçi i njohur për humbje peshe që po përdoret gjerësisht në Hollywood.

Në podcast-in e saj “Self-Conscious”, 39-vjeçarja tregoi se nisi ta përdorte ilaçin pas humbjes së djalit të saj, Jack, në vitin 2020, një përvojë që e futi në një gjendje të rëndë depresioni.

“E mora për rreth një vit. Tre apo katër muajt e parë nuk pashë asnjë rezultat, por më pas pesha e shtatzënisë filloi të binte dhe ndjeva sikur po dilja nga ajo errësirë e thellë”, rrëfeu Teigen.

Autorja e “Cravings” tha se pasi ilaçi filloi të vepronte, humbja e peshës erdhi shpejt, madje aq shumë sa që nuk e kuptonte se kishte rënë më tepër sesa duhej.
“Kur sheh trupin tënd të ndryshojë aq shpejt, është e lehtë të humbasësh masën. Ishte sikur të mos e ndjeja më trupin tim”, u shpreh ajo, duke e quajtur këtë gjendje “Ozempic blindness”.

Megjithatë, Teigen pranoi se procesi ishte i vështirë, sepse ilaçi i hiqte totalisht urinë.
“Unë e dua të jem e uritur, e dua ndjesinë e të ngrënit. Për mua ishte torturë të mos kem fare dëshirë për ushqim. Jam aq e fiksuar pas ushqimit saqë John (Legend) më bën një ‘sanduiç gjumi’ çdo natë rreth orës 2 të mëngjesit”, tha ajo me humor.

Përveç efekteve fizike, Ozempic e ndihmoi të shpëtonte nga “rregullat absurde” që i kishte vendosur vetes për dietën. “Më liroi nga burgosja që kisha me ushqimin”, u shpreh ajo.

Gjithsesi, modelja pranoi se ndjente faj, jo vetëm sepse kishte mundësi të përballonte ekonomikisht një trajtim kaq të kushtueshëm, por edhe sepse nuk kishte qenë plotësisht e sinqertë me fansat e saj që blinin librat e saj të gatimit.

Teigen tregoi gjithashtu për marrëdhënien e vështirë që ka pasur me ushqimin në vitet e saj si modele.
“Haesha aq shumë, sa shpesh bëhesha keq dhe vjellja. Nuk e quaja bulimi sepse nuk e detyroja veten, por kjo zgjati katër vite”, tha ajo.