Reperi i njohur A$AP Rocky ka ndezur edhe një herë thashethemet për martesë me Rihanna, teksa çifti po pret fëmijën e tyre të tretë.

Në një intervistë të publikuar të martën nga Elle Magazine, Rocky u pyet nëse mezi priste të bëhej 'bashkëshort' i Rihannës. Ai u përgjigj me humor: “Nga e di ti që unë nuk jam tashmë 'bashkëshort'?” dhe shtoi duke qeshur: “Ende nuk do ta konfirmoj këtë.”

Deklarata ka hapur sërish dyshime se dy yjet mund të jenë martuar në fshehtësi, ndërkohë që fansat presin lajme nga dyshja më e komentuar e muzikës dhe modës.

Në intervistë, Rocky tregoi se ai dhe Rihanna e kanë të qartë se familja është gjithmonë prioriteti i tyre, përtej karrierës.
“Ne nuk flasim shumë për punë, sepse merremi me të gjithë ditën. Kur kthehesh në shtëpi, është fjala për familjen, për marrëdhënien dhe për shtëpinë. Nuk ka të bëjë me gjithë atë gjë tjetër,” – shpjegoi reperi 36-vjeçar.

Ai shtoi se ata përpiqen të kalojnë kohë cilësore me fëmijët e tyre, RZA (3 vjeç) dhe Riot (2 vjeç), duke e vendosur jetën private përpara gjithçkaje tjetër.

Rocky tregoi gjithashtu se është shumë i emocionuar për fëmijën që po vjen dhe se po shpreson për një vajzë:
“Ne po lutemi për një vajzë. Herën e parë donim ta dinim gjininë, herën e dytë jo. Këtë herë gjithashtu nuk duam ta dimë deri në fund. Por unë kam ndjesinë se do të jetë vajzë, sepse kjo shtatzëni është shumë ndryshe nga dy të parat,” – u shpreh ai.

Rihanna zbuloi se ishte shtatzënë në maj, kur u shfaq me barkun e rrumbullakosur pak para Met Gala-s në Nju Jork.