(Photo by Arnold Jerocki/GC Images)

Aktorja britanike Emma Watson nuk ka marrë pjesë në një film që prej 'Little Women' (2018), por mungesa e saj nga skena nuk ka qenë as e rastësishme dhe as e heshtur. Në një intervistë për Hollywood Authentic, Watson tregon arsyet pse zgjodhi të tërhiqej përkohësisht nga aktrimi, çfarë i ka munguar dhe çfarë nuk dëshiron më të përjetojë.

Ajo pranon se pjesa më e lodhshme dhe shpesh shkatërruese e profesionit nuk është aktrimi vetë, por procesi i pandalshëm i promovimit: turnetë, daljet në media, eventet dhe fushatat publicitare.
“Pjesa më e rëndësishme, në krahasim me punën në vetvete, është promovimi dhe shitja e atij filmi. Ky ekuilibër mund të komprometohet krejtësisht,” tha ajo.

Emma nuk fsheh zhgënjimin:
“Do të jem e sinqertë nuk më mungon të shes gjëra. E gjeta jashtëzakonisht shkatërruese për shpirtin. Por më mungon shumë të përdor aftësitë e mia, më mungon arti. Thjesht kuptova që bëja shumë pak nga ajo pjesë që me të vërtetë më pëlqente.”

Watson përshkruan momentin e hyrjes në set si një lloj meditimi të thellë:
“Kur je në një skenë dhe kamera fillon të xhirojë, harron gjithçka tjetër dhe jeton vetëm atë çast. Nuk mund të jesh askund tjetër. Është një formë meditimi shumë intensive.”

Megjithatë, krahas kësaj ndjenje lirie, ajo thekson edhe presionin që shoqëron gjithmonë famën:
“Është çliruese. Më mungon shumë. Por nuk më mungon presioni. Harrova sa i madh ishte. Bëra diçka të vogël për një shfaqje teatrale me miq dhe mendova: ‘Sa stres!’ Dhe nuk ishte as për një publik të vërtetë. Nuk më mungon kjo pjesë.”

Jashtë botës së filmit, Emma i është përkushtuar studimeve. Pas diplomimit në Letërsi Angleze në Brown University (2014), ajo tani ndjek një Master në shkrim krijues në Universitetin e Oksfordit. Në të njëjtën kohë, mbetet e angazhuar në aktivizëm për drejtësinë mjedisore dhe ndryshimet klimatike.

Watson pranon se për vite me radhë ka punuar pa u mbështetur në themele të forta personale:
“Gjëja më e rëndësishme në të vërtetë është baza e jetës tënde: shtëpia, miqtë dhe familja. Mendoj se kam punuar aq shumë për kaq gjatë, saqë jeta ime ra poshtë,” tha ajo.
Sipas saj, mungesa e këtyre themeleve të bën të vraposh nga një projekt në tjetrin, duke u ndjerë i frikësuar nga boshllëku mes angazhimeve:
“E kupton që nuk ke një ritëm në jetën tënde.”