Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy është shpallur fajtor nga një gjykatë në Paris për akuzën e “bashkëpunimit kriminal” në lidhje me dyshimet për financim të paligjshëm të fushatës së tij presidenciale të vitit 2007 me para të ardhura nga regjimi i ish-diktatorit libian Muammar Gaddafi. Gjykata e dënoi Sarkozy me 5 vite burg, duke shënuar një goditje të fortë për figurën politike që ka dominuar për dekada skenën franceze.

Sipas vendimit gjyqësor, hetimet kanë zbuluar prova se një pjesë e fushatës elektorale të Sarkozy është mbështetur nga fonde të ardhura ilegalisht nga Libia, duke shkelur ligjet franceze mbi financimin politik. Përveç ish-presidentit, gjykata shpalli fajtorë edhe disa bashkëpunëtorë të afërt të tij, mes të cilëve ish-ministrat Claude Guéant dhe Brice Hortefeux, për përfshirje në të njëjtën skemë.

Çështja ka tërhequr vëmendje të madhe jo vetëm për shkak të peshës politike të Sarkozy-t, por edhe për rrethanat dramatike që e shoqërojnë. Vetëm pak ditë para dhënies së vendimit, ndërroi jetë Ziad Takieddine, një nga dëshmitarët kyç dhe i dyshuar si ndërmjetës në transferimin e fondeve libiane. Vdekja e tij u konsiderua një zhvillim i pazakontë, duke ngritur pikëpyetje dhe debate të shumta në media.

Ky nuk është rasti i parë gjyqësor për Sarkozy-n. Ai tashmë është dënuar edhe në procese të tjera për korrupsion dhe shkelje të rregullave të financimit të fushatës, duke e vendosur figurën e tij politike në qendër të një sërë skandalesh ligjore. Vendimi i fundit, megjithatë, për shkak të peshës së akuzave dhe natyrës ndërkombëtare të aferës, shihet si më i rëndi në karrierën e tij politike dhe juridike.

Photo Credit: Eurasia Sport Images / Contributor

Source: Getty Images Europe