Kapiteni i Kombëtares së Kosovës dhe mbrojtësi i Napolit, Amir Rrahmani, ka bërë publike lidhjen e tij me blogeren e njohur Drita Stublla.

Dyshja është fotografuar duke ecur dorë për dore në rrugët e Napolit, duke i dhënë fund çdo hamendësimi mbi marrëdhënien e tyre. Pamjet kanë shpërndarë menjëherë jehonë në media dhe rrjete sociale, duke e kthyer çiftin në një nga temat më të komentuara të momentit.

Prej muajsh qarkullonin thashetheme për lidhjen e tyre, por kjo dalje publike është konfirmimi i parë zyrtar. Rrahmani, i cili është një nga figurat kryesore të futbollit kosovar dhe një lojtar i rëndësishëm për skuadrën e Napolit në Serie A, duket se po gjen një balancë mes karrierës sportive dhe jetës private.

Nga ana tjetër, Drita Stublla, e njohur për aktivitetin e saj në modë dhe për stilin që e veçon në rrjetet sociale ku numëron mijëra ndjekës, ka tërhequr vëmendjen edhe më shumë pas këtij konfirmimi publik.

Fotografitë e çiftit, të veshur me shumë stil e klas, kanë marrë komente të shumta nga fansat, duke i cilësuar si një dyshe që përfaqëson elegancën dhe suksesin në fushat e tyre.

Ky zyrtarizim ka vulosur një histori dashurie që deri më tani mbetej thjesht në kuadër të aludimeve.