Blerta Celibashi ka folur për herë të parë publikisht mbi përfshirjen e saj në ngjarjet që pasuan divorcin e Princ Lekës me Elia Zaharinë, duke hedhur poshtë çdo aludim që e vendoste atë në qendër të kësaj historie. E ftuar në emisionin “Mirëmbrëma Yje”, Celibashi rrëfeu hapur vështirësitë psikologjike që ka përjetuar, si edhe trysninë e thashethemeve që e përfshinë në një “telenovelë” ku, sipas saj, nuk kishte asnjë lidhje reale.

“Ka qenë e vështirë të menaxhoj aspektin psikologjik. Ishte shumë e vështirë për mua që të përfshihesha në një telenovelë ku nuk e gjeja aspak veten në personazhin që më kishin vendosur. Ndihem shumë e prekur dhe e indinjuar me të gjitha shkrimet e pavërteta, ka qenë shumë e vështirë. Aktualisht jemi në një moment paqeje, sigurisht që ndjej ngarkesë të madhe psikologjike kur flas për atë kohë, por mendoj që tani jemi mirë”, tha ajo.

Fotografja theksoi gjithashtu se mes saj dhe Elia Zaharisë nuk ka ekzistuar kurrë një raport miqësor, duke e cilësuar këtë si një trillim mediatik i krijuar për të gjeneruar interes dhe klikime.

“Në mënyrë kategorike nuk kam qenë asnjëherë shoqe me Elian. E di që ky është një nga ato elementët që e krijojnë telenovelën më interesante, por është shumë abuzive që kanë shpifur deri në këtë pikë. Kjo është e vërteta ime”, u shpreh Celibashi.

Ajo sqaroi se marrëdhëniet me familjen mbretërore kanë qenë gjithmonë të natyrës profesionale dhe të bazuara vetëm në punën e saj si fotografe.

“Ne kemi pasur një marrëdhënie shumë profesionale. Unë kam shumë klientë, jo me të gjithë mund të jem shoqe ose shokë. Fotot kanë qenë pjesë e punës dhe marrëdhëniet gjithmonë korrekte, formale. Asnjëherë nuk e kam menduar që mund të ngrihej një fabul e tillë”, përfundoi Celibashi.