Raporti shumë i diskutueshëm dhe aspak i kuptueshëm mes Egli Takos dhe Gjesti-t, lindur brenda mureve të shtëpisë së Big Brother Albania, është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes pas deklaratave të fundit dhe reagimeve të dy protagonistëve.
Dy ditë më parë, e ftuar në “The Dalina Show”, Egli foli hapur për raportin që pati me Gjesti-n gjatë kohës së tyre në reality show. Ajo u shpreh se lidhja mes tyre nuk ishte dashuri e vërtetë, por më shumë një afrim i kushtëzuar nga rrethanat e izolimit brenda shtëpisë.
“Je aty brenda 24 orë në ditë, lidhjet bëhen më të ngushta dhe më intensive. Por kjo nuk ka lidhje me ndjenja të thella romantike. Ishte më shumë lojë, një person i duhur në vendin e duhur. Unë isha personazhi i gabuar në vendin e duhur,” tha Egli.
Ajo shtoi se në një moment kishte rënë në një “deluzion”, duke besuar përkohësisht në atë raport, por tashmë e sheh ndryshe.
“Ndoshta edhe unë për një periudhë e kam jetuar këtë gjë, por sot e shoh ndryshe. Nuk më frymëzonte si person në kuptimin e madh, më bënte të qeshja, kalonim mirë, por kaq. Dua ta mbaj mend si një shok të asaj kohe,” u shpreh ajo.
Deklaratat e saj nuk mbetën pa përgjigje. Gjesti reagoi përmes një Instastory, duke ndarë një moment në makinë, ku dëgjonte një këngë me tekst që përkonte me fjalët që dikur ia kishte thënë Eglit brenda shtëpisë:
“Ajo që e ndjen ti nuk është dashuri, por obsesion, një iluzion në mendjen tënde.”
Ky veprim u interpretua nga ndjekësit si një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj komenteve të Eglit, duke ndezur sërish diskutimet rreth marrëdhënies së tyre.