Emma Heming Willis ka ndarë me publikun një detaj të papritur për shenjat e para të sëmundjes së bashkëshortit të saj, aktorit të njohur të Hollywood-it, Bruce Willis. Sipas saj, gjithçka nisi me vështirësi në të folur një simptomë që fillimisht iu duk krejt e padëmshme, por që më pas u shfaq si tregues i hershëm i demencës.

«Asnjëherë nuk do ta kisha menduar se një gjë e tillë mund të ishte shenjë e demencës së parakohshme», u shpreh modelja dhe aktorja 47-vjeçare gjatë një interviste në podcastin Next Question të gazetares Katie Couric.

Në vitin 2023, familja e Willis bëri publike diagnozën e demencës frontotemporale, ndërsa aktori 70-vjeçar vuan gjithashtu edhe nga afazia progresive primare një çrregullim neurologjik i rrallë që prek aftësinë për të folur dhe komunikuar.

Emma Heming kujton fjalët e neurologut Bruce Millier, i cili e ka ndihmuar gjatë procesit të diagnostikimit:
«Nëse tek një person 40, 50 apo 60 vjeç vëren ndryshime drastike në gjuhë, sjellje ose personalitet, është një sinjal që diçka nuk po funksionon mirë në tru dhe duhet hetuar më tej».

Ajo shton se për një kohë të gjatë ndihej e hutuar dhe e pafuqishme përballë ndryshimeve të bashkëshortit: «Fjalët nuk i vinin më natyrshëm, shpesh ngatërrohej dhe unë ndihesha po aq e humbur. E dija se diçka nuk ishte në rregull, por nuk mund ta përcaktoja saktësisht».

Pas muajsh të vështirë, familja mori vendimin që Bruce Willis të jetonte në një banesë njëkatëshe, nën kujdesin e specialistëve, ndërsa Emma dhe dy vajzat e tyre, Mabel dhe Evelyn, qëndrojnë në shtëpinë familjare.

«Ishte një nga vendimet më të vështira që kam marrë ndonjëherë, por e di që Bruce do të dëshironte që vajzat tona të kishin një përditshmëri të qetë», tha ajo.

Ky rrëfim i Heming Willis ka ngjallur reagime të shumta, duke sjellë në vëmendje rëndësinë e njohjes së hershme të simptomave të demencës dhe fuqinë e mbështetjes familjare përballë një sëmundjeje kaq sfiduese.