Victoria Beckham ka vendosur të vendosë një vijë ndarëse mes vetes dhe përplasjes së gjatë me djalin e saj të madh Brooklyn dhe nusen Nicola Peltz, rrëfen një burim i afërt për Mirror. Ish-anëtarja e Spice Girls dhe tashmë stiliste e afirmuar, po përgatitet të tregojë “sfidat dhe triumfet që e kanë formësuar” në dokumentarin e ri në Netflix, i cili pritet të jetë një nga hitet më të mëdha të vitit për platformën.

Në trailerin e dokumentarit me tre pjesë, që u publikua më 17 shtator, Victoria, 51 vjeçe, shihet teksa shpërthen në lot përpara presionit të madh të përgatitjes së sfilatës së saj në Paris Fashion Week. Në krah të saj janë bashkëshorti David Beckham dhe disa miq të famshëm të botës së modës. Dokumentari gjithashtu rikthehet në vitet e saj si pjesë e grupit legjendar Spice Girls, duke treguar anët e panjohura të asaj periudhe.

Në një moment të fragmenteve të paraqitura, Victoria rrëfen mes lotësh: «Dua vetëm që fëmijët e mi dhe Davidi të jenë krenarë për mua». Ajo më pas përqafohet nga bashkëshorti, me të cilin ka 26 vjet martesë.

Një burim pranë saj thotë: «E përjetoi xhirimin si shumë emocional, por edhe çlirimtar. E bëri të kuptojë sa shumë është e dashur dhe sa shumë familja e ka mbështetur në çdo ngritje dhe rrëzim».

Megjithatë, dokumentari nuk shmang dot çështjen e ndjeshme të marrëdhënies së krisur me djalin e madh, Brooklyn, 26 vjeç. Sipas burimit, kjo vazhdon të jetë “gjëja e madhe që e prek më shumë”.
«Ajo e kuptoi se nuk mund ta përsërisë pafund këtë dhimbje. Tani thotë: mjaft më».

Brooklyn shfaqet vetëm në një cameo të shkurtër me pamje arkivore të viteve ’90, ku shihet si foshnjë në krahët e nënës së tij mbi një jaht. Megjithatë, ai nuk ka komentuar fare publikisht për dokumentarin, ashtu siç nuk reagoi për disa ngjarje të tjera të rëndësishme familjare vitin e fundit, përfshirë 50-vjetorin e të atit.

I realizuar nga regjisori i filmit Becoming mbi Michelle Obamën, ky dokumentar pritet të ofrojë një portret të rrallë dhe të thelluar të Victorias: nga adoleshentja ambicioze që ëndërronte skenat botërore, tek ikona e modës dhe bizneswoman e sotme.

Në dokumentar, përveç Victorias, flasin edhe David Beckham, tashmë i nderuar me titullin “Sir”, si dhe figura të njohura të modës dhe miq të afërt.

Sipas burimit, pavarësisht ftohjes aktuale, Victoria ende shpreson se një ditë do të ribashkohet me Brooklyn:
«Ajo e di se një ditë ai do t’i rikthehet. Por thotë se tani nuk është koha. Ky projekt e ka bërë ta kuptojë sa e bekuar është me familjen që ka pranë. Ajo ende shpreson ta rregullojë marrëdhënien me Brooklyin, por në të njëjtën kohë nuk mund të luftojë përjetë të njëjtën betejë».

Premiera e dokumentarit do të mbahet më 9 tetor në Netflix.