Raportet për dronë që fluturojnë mbi hapësirat ajrore të Evropës janë rritur ndjeshëm në muajt e fundit. Tani po shohim se cilat vende kanë parë dronë dhe ku janë shfaqur.

Të paktën 10 vende evropiane kanë raportuar hyrje misterioze të dronëve gjatë tre muajve të fundit. Lituania, Letonia, Danimarka, Norvegjia, Rumania, Polonia, Estonia, Gjermania dhe Franca kanë regjistruar incidente të tilla.

Lituania
Më 28 Korrik, autoritetet lituaneze raportuan se një dron kishte kaluar nga Rusia në territorin e tyre. Ministrja e Mbrojtjes, Dovile Sakaliene, tha se droni kishte qenë i drejtuar nga Rusia për Ukrainën, por papritur hyri në Lituani. Droni u gjet disa ditë më vonë, i armatosur me eksploziv në një zonë stërvitore ushtarake. Lituania kërkoi ndihmën e NATO-s për të forcuar mbrojtjen ajrore.

Polonia
Më 9 Shtator, të paktën 19 dronë rusë fluturuan mbi hapësirën ajrore të Polonisë në atë që komanda qendrore e quajti një “akt agresioni”. Forcat polake i rrëzuan dronët, të cilët kishin shkelur vazhdimisht hapësirën e tyre. Një dron u pa edhe mbi Pallatin Presidencial në Varshavë më 15 Shtator dhe u neutralizua nga Shërbimet e Mbrojtjes së Shtetit.

Rumania
Më 8 Shtator, një dron rus shkel hapësirën ajrore të Rumanisë gjatë sulmeve nate mbi Ukrainë, duke detyruar ushtrinë e vendit të dërgojë avionë F-16 për monitorim. Një incident tjetër ndodhi më 13 Shtator, ku një dron i njohur si Geran (Shahed 136) u zbulua pranë kufirit me Ukrainën.

Letonia
Një dron nga Bjellorusia u rrëzua në pjesën lindore të Letonisë më 8 Shtator. Presidenti Edgars Rinkevics tha se po kryhej një hetim dhe se qeveria ishte në kontakt të ngushtë me aleatët e NATO-s.

Danimarka dhe Norvegjia
Së fundmi, dronë u panë mbi pesë aeroporte daneze: Kopenhagen, Aalborg, Billund, Esbjerg dhe Sønderborg. Aeroportet e Kopenhagen dhe Aalborg u mbyllën për disa orë. Në Norvegji, hapësira ajrore e aeroportit të Oslos u mbyll për rreth tre orë më 23 Shtator për shkak të dronëve. Danimarka ndaloi përkohësisht fluturimet civile me dron nga e hëna deri të premten për të shmangur konfuzionin me dronët armikë.

Gjermania
Më 26 Shtator, disa dronë u vunë re në landin verior Schleswig-Holstein, pranë kufirit me Danimarkën. Sipas shërbimit gjerman të navigacionit ajror (DFS), janë regjistruar 144 fluturime të dronëve këtë vit, kryesisht pranë aeroporteve.

Franca
Më 22 Shtator, dronë të paidentifikuar u panë mbi bazën ushtarake Mourmelon-le-Grand, ku trajnohen edhe ushtarë ukrainas. Autoritetet nuk zbuluan llojin e dronëve, por shtuan se nuk ishin të vegjël dhe nuk ishin të pilotuar nga personel ushtarak.

Autoritetet në të gjitha vendet e përfshira po shtojnë masat e sigurisë dhe po bashkëpunojnë me NATO-n dhe Bashkimin Evropian për të parandaluar incidente të mëtejshme.