Qeveria e Shteteve të Bashkuara u mbyll zyrtarisht në mesnatë, pasi Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë nuk arritën të bien dakord për zgjatjen e financimit federal.

Edhe pse Partia Republikane e Presidentit Donald Trump kontrollon të dyja dhomat e Kongresit, për miratimin e një ligji në Senat nevojiten 60 vota. Të dyja palët dështuan të hartojnë një marrëveshje bipartizane, pasi Senati rrëzoi si propozimin republikan, ashtu edhe atë demokrat, vetëm disa orë para afatit.

Ky është mbyllja e parë e qeverisë që prej vitit 2018, gjatë mandatit të parë të Trump, kur kriza zgjati 34 ditë – më e gjata në historinë amerikane. Aktualisht nuk ka një rrugë të qartë drejt zgjidhjes, pasi të dyja palët mbeten thellësisht të ndara në qëndrimet e tyre.

Ndërkohë, qindra mijëra punonjës federalë do të mbeten pa paga për kohën që do të zgjasë kriza. Rreth 750,000 punonjës do të pushohen përkohësisht nga puna çdo ditë, ndërsa të tjerë në shërbime thelbësore – si agjentët e Sigurisë së Transportit, kontrollorët e trafikut ajror, oficerët e rendit dhe pjesëtarët e ushtrisë – do të detyrohen të punojnë pa pagesë.

Ligji federal garanton që ata të marrin pagat e prapambetura sapo qeveria të rihapet, edhe për periudhën kur nuk kanë punuar. Kostoja e kompensimit për punonjësit e pezulluar pritet të arrijë në rreth 400 milionë dollarë.

Photo by TaYYaB mIrZa: https://www.pexels.com/photo/capitol-in-washington-dc-24376267/