Reperi i njohur nga Ferizaj, Buta (emri i vërtetë: Betim Januzaj), është paraqitur sot (e mërkurë) para Gjykatës Themelore në Ferizaj, ku po përballet me akuza për shitblerje të substancave narkotike dhe armëmbajtje pa leje.
Buta u arrestua më 11 shtator, ndërsa një ditë më pas gjykata caktoi masën e paraburgimit ndaj tij.
Gjatë seancës së sotme, reperi ka kërkuar të lirohet nga paraburgimi, duke theksuar përgjegjësitë e tij familjare.
“Jam i vetmi mashkull në familje dhe kujdesem për nënën 63-vjeçare, vajzën njëvjeçare dhe gruan. Të cilat, pa mua, nuk munden t’i përmbushin nevojat bazike,” – tha ai para trupit gjykues.
Ndërkohë, në një çështje të ndërlidhur, Gjykata Supreme ka lënë në fuqi dënimin prej 17 vjetësh burgim ndaj vëllait të tij, Qëndrim Januzaj, i cili është shpallur fajtor për vepra të ngjashme penale.
Rasti i Butës ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik, për shkak të famës së tij si një nga emrat më të njohur të skenës së repit në Kosovë dhe rajon. Për momentin, autoritetet gjyqësore nuk kanë marrë ende një vendim përfundimtar lidhur me kërkesën e tij për lirim.
Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë në ditët në vijim, ndërsa mbetet të shihet nëse gjykata do të pranojë argumentet e tij për t’u liruar nga paraburgimi.