Keith Urban ka rrëfyer publikisht një periudhë të errët të martesës me Nicole Kidman, vetëm një vit para se çifti të konfirmonte ndarjen e tyre pas gati 20 vitesh bashkë.
Gjatë një fjalimi emocional në ceremoninë AFI Life Achievement Award Gala në prill 2024, këngëtari country tha se abuzimi me substanca i kishte vënë seriozisht në rrezik marrëdhënien me Kidman, katër muaj pas dasmës së tyre në qershor 2006.
“Varësitë e mia … që nuk kisha bërë asgjë për t’i trajtuar, shpërthyen martesën tonë copë e çikë. Katër muaj pas martesës, unë isha tre muaj në rehabilitim,” – tha ai.
Urban, 57 vjeç, shtoi se nuk e dinte nëse martesa do të mbijetonte, por e lavdëroi Kidman, 58 vjeçe, për vendimin që bëri:
“Nic përballoi çdo zë negativ, ndoshta edhe disa të sajat, dhe zgjodhi dashurinë. Dhe ja ku jemi, 18 vite më vonë.”
Në sallë ishin edhe dy vajzat e çiftit, Sunday Rose (17) dhe Faith Margaret (14), të cilat këngëtari i quajti “të bekuara” që rriten me një nënë si Kidman.
Aktorja e “Big Little Lies” u pa me lot në sy gjatë fjalimit, ndërsa Urban shtoi: “Nuk kam takuar askënd me aq pasion për jetën sa Nicole. Ajo e di sa e rëndësishme është të shprehësh ndjenjat.”
Megjithatë, pavarësisht rikthimit dhe 19 vjetëve bashkë, lajmet e ndarjes së tyre shpërthyen këtë javë. Çifti kishte bërë daljen e fundit publike së bashku në qershor 2025 gjatë një ndeshjeje të FIFA Club World Cup.
Nicole Kidman ishte më parë e martuar me Tom Cruise (1990–2001), me të cilin adoptoi dy fëmijë: Isabella, 32, dhe Connor, 30.