Vetëm disa javë përpara se Nicole Kidman të depozitonte kërkesën për divorc, Keith Urban u gjend disa herë në situata të sikletshme gjatë intervistave, sa herë që tema prekte marrëdhënien e tyre. Pamjet dhe fragmentet audio nga ato momente po qarkullojnë me shpejtësi në rrjete sociale, duke ndezur diskutime mbi tensionet që mund të kishin nisur më herët.

Në një intervistë të 2 shtatorit në radion australiane Gold 101.7’s “Jonesy & Amanda”, Urban u duk dukshëm i parehatshëm kur moderatorja e pyeti për “historinë e jashtëzakonshme të dashurisë” me Kidman. “A mendon se po të mos ishit takuar atë ditë, rrugët tuaja do të ishin kryqëzuar sërish?” – pyeti Amanda Keller.

Këngëtari, i cili njihet për energjinë e tij në skenë, reagoi ftohtë: “Jo, mendoj se do të ndodhte”, tha shkurt, ndërsa merrej me një shishe uji. Kur iu kërkua mendimi për “fatin” në histori, përgjigjja e tij ishte edhe më e prerë: “Nuk kam asnjë ide.” Dhe më pas, duke shmangur vazhdimin e temës, mbylli bisedën me një “Anyway, moving on” – “Në çdo rast, të ecim përpara.”

Kjo nuk ishte hera e parë. Në korrik, gjatë një interviste me Ryan Seacrest, Urban u gjend sërish në pozitë të vështirë. I pyetur për agjendën e ngjeshur të Kidman dhe për faktin që ajo “duket sikur është kudo”, këngëtari 57-vjeçar reagoi me një buzëqeshje të sforcuar. “Është një punë. Po, jeta është në proces,” tha ai, duke lënë të kuptohet se nuk kishte dëshirë të zgjaste më tej bisedën.

Kontrasti është i dukshëm: dikur Urban fliste shpesh e me krenari për Kidman, madje i inkurajonte intervistuesit ta përmendnin. Këtë herë, heshtja dhe shmangia e tij u dukën si një ogur i ndarjes që do të vinte vetëm pak javë më vonë.

Lajmi i divorcit shpërtheu këtë javë, duke i dhënë fund martesës 19-vjeçare të çiftit që shpesh ishte konsideruar si një nga më të fortët e Hollywood-it. Kidman, 58 vjeçe, ka dorëzuar kërkesën për divorc duke përmendur “dallime të papajtueshme”, ndërkohë që dokumentet përfshijnë edhe një plan për kujdestarinë e dy vajzave të tyre, Sunday Rose (17) dhe Faith Margaret (14).

Burime pranë aktores kanë treguar se ajo ishte përpjekur të shpëtonte martesën, ndërsa një tjetër zë i fortë, i raportuar nga TMZ, nënkupton se Urban tashmë mund të ketë një lidhje të re. “Të gjitha shenjat tregojnë se Keith është me një tjetër grua,” – thanë burime për afër “Moulin Rouge!” star, duke shtuar se edhe pse Kidman nuk e mohon këtë, ndarja e ka lënë të tronditur.

Aktorja është parë së fundmi në Nashville, duke kaluar kohë me motrën e saj, Antonia, në një shëtitje të qetë në natyrë. Një imazh i qetësisë, në kontrast me stuhinë mediatike që e rrethon.